Europa në valën e 4 të pandemisë, ndërsa udhëheqësit politikë luftojnë me të panjohurat e Covid

schedule12:43 - 29 Korrik, 2021

schedule 12:43 - 29 Korrik, 2021

Nga Jillian Deutsch, Cornelius Hirsch and Carlo Martascelli, Politico

Europa po mëson të pranojë situatën dhe të jetojë me koronavirusin. Por disa vende po ndjekin rrugë të ndryshme për të planifikuar rikthimin e tyre në normalitet. Numri i të infektuarve ka shënuar rritje, për shkak të variantit shumë të transmetueshëm Delta.

Por kjo është më pak shqetësuese për udhëheqësit europianë pasi numri i të shtruarve në spital dhe i viktimave ka shënuar rënie. Kjo do të thotë që udhëheqësit e BE -së po ndryshojnë mënyrën se se si po e shohin virusin, duke marrë më shumë parasysh normat e shtrimit në spital sesa numrat e rasteve për të vlerësuar përhapjen e tij.

“200 është si 50”, tha Ministri i Shëndetësisë gjerman Jens Spahn javën e kaluar, duke iu referuar 50 rasteve për 100.000 persona si kritike. Kjo pasqyron faktin se numri i rasteve është më i pakët se shtrimet në spital.

Italia, në mënyrë të ngjashme, tha këtë muaj se do t’i japë peshë më të madhe shtrimeve në spital në momentin kur do të vendosin për të marrë masa të reja. Në fakt, Europa ka hyrë në një fazë të re të pandemisë, por udhëheqësit politikë po luftojnë me disa të panjohura: Efekti i vaksinave; rreziku i më shumë varianteve; dhe një rritje të mundshme në sëmundje serioze, raporton abcnews.al

Në të njëjtën kohë, europianët kërkojnë më ngulm të rikthehen në normalitet-dhe udhëheqësit e tyre kërkojnë rigjallërimin e ekonomisë.

“Europa ndodhet në një situatë të pasigurt,” tha Christopher Dye, një epidemiolog në Universitetin e Oksfordit. “Ne kemi pasur shumë sukses në shpërndarjen e vaksinave. Por niveli i vaksinimit nuk është ende aq i lartë sa të parandalojë që shtrimin e njerëzve në spital apo nivelin e vdekshmërisë. ”

Për shkak të rritjeve nga Delta, shumë vende po përpiqen të arrijnë ekuilibrin e duhur. Disa, si Franca dhe Italia, po marrin një qasje më të kujdesshme, duke kërkuar prova të vaksinimit për disa punonjës, si dhe për shumë aktivitete.

Mbretëria e Bashkuar shkoi në drejtim të kundërt dhe hoqi të gjitha kufizimet javën e kaluar sikur pandemia të kishte përfunduar. Ndërkohë, ekspertët e shëndetit publik vazhdojnë të bëjnë thirrje për të respektuar masat.

Holanda dhe Britania e Madhe janë dy shembuj se si politikëbërësit po përballen me situatën  e re. Në korrik, shkalla e riprodhimit të virusit në Holandë (“R”) arriti pikën e saj më të lartë gjatë pandemisë. Kryeministri Mark Rutte u tha gazetarëve se qeveria e tij bëri një “gabim” në heqjen e kufizimeve shumë shpejt.

Por rritja e rasteve shtoi numrin e pacientëve në spital, falë shkallës relativisht të lartë të vaksinimit të vendit, me gati 70 përqind që kishin të paktën një dozë.

 

Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë, është bërë një pikë e nxehtë për variantin Delta: Rastet e vendit janë më të larta tani sesa në vjeshtën e vitit 2020, duke arritur në më shumë se 47,000 raste të reja më 20 korrik – një ditë pasi qeveria hoqi pothuajse të gjitha kufizimet e koronavirusit.

Por vaksinimi ka ndihmuar në uljen e vdekshmërisë, edhe pse shtrimet në spital janë rritur nga rreth 900 në gati 6,000, duke shkaktuar kaos në sistemin shëndetësor.

 

Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se infektimi me koronavirusi ka rreziqe të tjera, përkatësisht “COVID i zgjatur”. Rreth një e treta e pacientëve, ende kishin probleme shëndetësore edhe pas rikuperimit.

Kjo gjendje ka deri në 200 simptoma të mundshme.

“Kjo është një sëmundje serioze dhe ne nuk kemi arritur ta kuptojmë plotësisht,” tha Lawrence Young, një virolog dhe profesor i onkologjisë molekulare në Universitetin e Warwick. “Virusi bën presion të madh mbi individët dhe në cilësinë e jetës së tyre, si dhe në shërbimin shëndetësor.”

Vaksina është çelësi

Mjetet më të mira të Europës për të luftuar pandeminë janë vaksinat. Çështja tani është se shumica e personave hezitojnë të vaksinohen. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi të martën se BE arriti objektivin e saj për të vaksinuar 70% të popullsisë- megjithëse kjo shifër në fakt i referohet vetëm atyre me të paktën një dozë.

Por tendenca që shqetëson politikëbërësit është që kërkesa për tu vaksinuar ka shënuar rënie. Më alarmante është se në vendet lindore – përfshirë Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, fushata e vaksinimit ka qenë e ngadaltë.

Këto vende deri më tani kanë shmangur një valë tjetër, por ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se mund të jetë vetëm çështje kohe. Angel Kunchev, epidemiologu kombëtar i Bullgarisë, tha se ai priste që varianti Delta të “dominonte situatën epidemiologjike” në javët e ardhshme. Vetëm 16 përqind e popullsisë së Bullgarisë është vaksinuar plotësisht, vuri në dukje ai, me 18 përqind të popullsisë së rritur që kanë marrë vetëm një dozë, raporton abcnews.al

Kunchev fajësoi normat e ulëta për “mosbesimin dhe skepticizmin” ndaj vaksinave. Në mënyrë të ngjashme, Vili Beroš, ministri i shëndetësisë i Kroacisë, fajësoi “propagandën anti-vaksina e cila është  përhapur në mediat sociale” si një arsye pse më pak se gjysma e të rriturve në vendin e tij janë vaksinuar, dhe vuri në dukje se vetëm 60 përqind e punonjësve shëndetësore dhe ministrisë janë vaksinuar.

Një rritje e re e rasteve në ato vende mund të jetë shkatërruese, veçanërisht pasi shumë nga këto rajone regjistruan nivelet më të larta të vdekshmërisë në BE gjatë pandemisë.

“Unë nuk jam optimist për situatën në vendin tonë … të sëmurët dhe të shtruarit do të kenë nivele më të larta të vdekshmërisë sesa në Europë,” tha Kunchev për Sofia Globe .

Duke pasur parasysh se sa rajone në Europë hezitojnë të vaksinohen, zyrtarët e shëndetit publik po rrisin përpjekjet dhe po ndryshojnë metodën. Sfida për disa është se zhvillimi i shpejtë i vaksinave të koronavirusit – i kombinuar me polemikat rreth Oxford/AstraZeneca – ka bërë që njerëzit të kenë “më shumë pikëpyetje” në lidhje me vaksinat, sipas Siddhartha Datta, epidemiolog.

Në Rumani – ku më pak se një e treta e të rriturve janë vaksinuar- OBSH ndihmoi në krijimin e një aplikacioni për smartphone për t’u dhënë njerëzve më shumë informacion mbi vaksinat.

Ndërkohë, varianti Delta, i cili është  40 dhe 60 përqind më ngjitës sesa lloji origjinal i koronavirusit, ka rritur shqetësimet kudo. Përhapja e saj e shpejtë i shtyu ekspertët të rrisin limitin e imunitetit të tufës, i cili ishte konsideruar në rreth 70 përqind.

Shkencëtarët francezë nga Instituti Pasteur, kanë rritur normën e imunitetit të tufës në 95 përqind.  Është shumë e pamundur që BE -ja të të vaksinojë  95% të popullsisë;  dhe ende nuk dihet nëse 70 përqind e botës do të vaksinohen deri në fund të vitit të ardhshëm.

Shkencëtarët janë të shqetësuar se këto boshllëqe të vaksinimit do të sigurojnë “terrenin e përsosur për gjenerimin e varianteve të reja – veçanërisht variante të virusit që mund të jenë më rezistente ndaj vaksinës”, tha Young, virusolog i Universitetit të Warwick, raporton abcnews.al

Normaliteti i ri

Mund të jetë fundi i pandemisë – por kjo nuk do të thotë që jeta do të jetë si më përpara. Në vend të kësaj, shkencëtarët në RKI besojnë se përshpejtimi i fushatës së vaksinimit dhe imuniteti natyror po kthejnë një pandemi në një endemike në Gjermani, por zhdukja e virusit ashtu edhe arritja e imunitetit të tufës është e pamundur.

Në vend të kësaj, vendet duhet të përqendrohen në minimizimin e rasteve të rënda. Francois Balloux, një profesor i bioshkencës në University College London,  në parashikimin e tij tha se pandemia do të përfundonte nga mesi deri në fund të vitit 2021.

Por me “fundin”, Balloux do të thotë se virusi “do të kalojë në një gjendje endemike në shumicën e botës dhe do të mbetet në qarkullim globalisht së bashku me 200 viruset e tjera sezonale të frymëmarrjes endemike,” shkroi ai në Twitter.

“Koronavirus do të jetë mes nesh”, tha Oxford’s Dye. Ai miraton qasjen franceze, si mbajtja e distancës sociale dhe e maskave; duke kërkuar që punonjësit shëndetësorë dhe socialë të vaksinohen; dhe duke kërkuar  një test negativ të personave që kërkojnë të marrin pjesë në ambiente të ndryshme.

Në të kundërt, vendimi i kryeministrit britanik Boris Johnson për të rihapur vendin nuk u miratua nga ekspertët e shëndetit publik. Por Britania e Madhe ende nuk ka shënuar rritje të pacientëve të shtruar në spital apo viktimave.

Dhe shkencëtarët nuk e dinë se si ta cilësojnë rënien e fundit të rasteve në Mbretërinë e Bashkuar. Disa e kanë cilësuar si një sinjal pozitiv, ndërsa të tjerët paralajmërojnë se më pak raste mund të jenë thjesht rezultat i njerëzve që testohen më rrallë apo të nxënësve që janë me pushime.

Pyetjet rreth menaxhimit të përhapjes së virusit  po ndryshojnë, por situata nuk është më e lehtë. Fillimisht ka pasur debate të shumta në lidhje me shpërndarjen e vaksinave, ndërsa disa vende ende po shqyrtojnë mundësinë e vaksinimit të adoleshentëve.

Rreziku më i madh, megjithatë, është ajo që ndodh kur njerëzit nuk flasin më për virusin, tha Dye.

“Njerëzit nuk duan të mendojmë më për virusin dhe duan ti rikthehen normalitetit”, tha Dye. “Ata nuk duan të flasin për këtë çdo ditë. Kur kjo fillon të ndodhë, ne jemi duke mësuar të jetojmë me të. Por mundësia për të marrë vendime të mëdha dhe të ndryshme, nga një perspektivë politike, do të fillojë të venitet gjithashtu. ”

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!