Presidenti francez Macron po kalon një javë të tmerrshme me manifestime të ndryshme kundër tij. Atij tashmë i është shtuar edhe një problem tjetër. Drejtësia franceze ka hapur një hetim për donacionet që janë bërë në partin e Macron.
Jo vetëm zemërim i “jelekëve të verdhë” në rrugët franceze, të cilët numërojnë të vdekurin e dytë mes manifestuesve, një 37-vjeçar i përplasur për vdekje nga një furgon. Presidenti francez Emmanuel Macron duhet të përballet edhe me zemërimin në rritje të kryetarëve të bashkive të mbledhur në një Kongres në Paris, atë të “infermierëve të harruar” të cilët gjithashtu dolën në rrugë, por mbi të gjitha me një hetim paraprak të hapur lidhur me origjinën e paidentifikuar të 144 mijë eurove donacione të marra në 2017 nga partia e tij, “La République en Marche”.
Prokuroria Publike e Parisit hapi hetimet pas raportmeve, më 12 nëntor të këtij viti, të Komisionit Kombëtar të Fushatës dhe Financimit Politik, i cili i raportoi Prokurorit faktet që mund të përbëjnë një shkelje në legjislacionin për transparencën e jetës publike. Kontrollet, transfertat bankare ose pagesat elektronike në formën e dhuratave kalojnë përmes një site për të përcaktuar origjinën e tyre. Kontrolli i është besuar Zyrës për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Kundërvajtjeve Financiare dhe Tatimore.
Ky është problemi i fundit i shfaqur në kokën e presidentit, i cili është nën presion me “jelekët e verdhë” që për të protestuar kundër rritjes së çmimit të karburantit kanë premtuar se do të bllokojnë kryeqytetin në manifestimet e së shtunës. Nga ana tjetër, kreu i pallatit Elize duke replikuar nga Belgjika, kërkoi dialog me protestuesit për të gjetur një zgjidhje.
Natyrisht dialogu do t’i shërbejë shumë duke parë që protestës kundër rritjes së çmimit të karburantit do t’i bashkohen edhe infermierët, të cilët megjithatë do të veçhen nga “jelekët e verdhë” por denuncojnë “përçmimin” e qeverisë për profesionin e tyre. 660 mijë persona pritet të mobilizohen nga 16 organizata sindikatash në protestat e së shtunës./abcnews.al