Unaza e Madhe, Veliaj: Projekti do të realizohet

schedule15:46 - 20 Nëntor, 2018

schedule 15:46 - 20 Nëntor, 2018

Pavarësisht protestave nuk ka asnjë tërheqje nga projekti i Unazës së Madhe.  Kryetari i Bashkisë sqaron se pronarët që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe do të shpronësohen 100%, ndërsa për ndërtimet pa leje Bashkia e Tiranës ofron tre vite bonus qiraje dhe mundësi për banesa sociale.

Nuk ka kthim pas. Rruga nga pallati me shigjeta deri tek sheshi “Shqiponja” në Tiranë do të zgjerohet pasi kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, thotë se trafiku që krijojnë automjetet në atë zonë është kthyer në problem për qytetin.

“Unaza e Re, siç është sot, nuk e përballon të gjithë atë fluks, ka shumë njerëz që vijnë nga rrethet e tjera në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një projekt të ri me Unazën e Re”, u shpreh Veliaj.

Pronarët të cilët preken nga projekti dhe zotërojnë dokumentet e pronësisë do të shpronësohen 100% ndërsa për ata që banesat apo bizneset i kanë pa leje bashkia do të ofrojë tre vite bonus qiraje.

“Kush ka aty shtëpi, sigurisht që do marrë lekëtë për shtëpinë. Kush ka tokë, se ndonjëherë, dikush që ka ndërtuar në tokën e dikujt tjetër ne nuk mund t’ia japim dhe lekët e tokës. Ai do marrë lekët e shtëpisë, kurse lekët e tokës do i marrë ai që ka tokën. Kush nuk ka asnjë gjë, kjo është ndoshta bashkia e vetme në të gjithë vendin tonë që jep edhe pagesë për qera, edhe shtëpi sociale, edhe kredi të butë”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, Veliaj akuzoi opozitën se po përdor banorët dhe po pengon zhvillimin e qytetit për të përfituar vota.

Jam shumë i lumtur që nga dje banorët e kanë kuptuar që ca politikanë po i përdorin dhe sot kanë shkuar të regjistrohen për t’u shpronësuar. Ky është një lajm shumë i mirë dhe ne duhet ta inkurajojmë këtë sjellje qytetare. Pra Unaza do të bëhet, merr kompensimin, por nuk e bllokon dot qytetin. Një parti politike mund të të ndihmojë, mund të të përdorë, mund të të manipulojë për sherr për vota, të vish të dëmtosh bashkinë, por kjo bashki nuk është e imja. Do iki unë nesër do jesh ti kryetar i bashkisë”, tha ai.

Kryebashkiaku Erion Veliaj shfrytëzoi Këshillin e Fëmijëve, me nxënësit e të gjithë shkollave të kryeqytetit dhe përfaqësues të UNICEF-it mbledhur me rastin e dites ndërkombëtare të fëmijëve për të bërë këto deklarata.

Veliaj prezantoi dhe projektin e ndërtimit të shkollave të reja ftoi ndërkohë ftoi nxënësit t’i bashkohen nismës për vendosjen e një flamuri shqiptar në ballkonet e shtëpive të tyre me rastin e festave të 28-29 Nëntorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!