Ballkaniku i veteranëve të atletikës do zhvillohet në Shqipëri, marrin pjesë rreth 800 sportistë

schedule20:35 - 25 Korrik, 2021

schedule 20:35 - 25 Korrik, 2021

Mosha bën të vetën, por ata nuk heqin dorë. Atletët veteranë shqiptarë mbeten aktivë dhe shpejt do të kenë një rast për të treguar veten, Kampionatin Ballkanik të këtij sporti.

Për herë të parë, ky aktivitet i rëndësishëm i Gadishullit do të mbahet në vendin tonë, dhe pikërisht në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, me mbështetjen e bashkisë së qytetit, Federates Shqiptare të Atletikës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Shqipëria e siguroi organizimin në datat 17-19 shtator, pas një konkurrence të fortë me Kroacinë.

Sipas sekretarit të atletëve “mastër” shqiptarë, Rudi Bektashit, në Ballkanik pritet të marrin pjesë 1500 atletë, nga të cilët deri në 800 do të jenë nga vendet e tjera të gadishullit, si Rumania, Greqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia apo Kosova.

Ekipi ynë kombëtar i veteranëve do të jetë i përbërë nga emra të njohur si kampioni dhe rekordmeni i Ballkanit në gjysmë maratonë, Nexhat Xhemalçe, apo kampionë të tjerë si Admir Dizdari e Dhimitraq Cepa në hedhje disku, Emiljana Ciko në hedhje çekiçi apo vrapuesi Genc Lugja.

Po ashtu, në Korçë do të jenë emra të njohur të sportit shqiptar si Klodeta Gjini, Alma Thano apo Dorian Çollaku, ndërsa nga organizatorët ftohen të marrin pjesë të gjitha personalitetet e atletikës gjatë viteve.

Kampionati Ballkanik është i ndarë sipas kategorive të moshave me ndarje 5-vjeçare, nga 35 deri në moshën maksimale.

Rekordmeni i Ballkanit në gjysmë maratonë, Nexhat Xhemalçe, merr pjesë në grupin e 85-vjeçarëve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!