Erdogan dhe Putin përurojnë “rrjedhën turke”

schedule10:12 - 20 Nëntor, 2018

schedule 10:12 - 20 Nëntor, 2018

Presidenti i Turqisë Erdogan gjatë përurimit të një gazësjellësi rus bashkë me homologun Putin, tha se dëshiron që vendet të arrijnë shkëmbime tregtare deri në 100 miliardë dollarë. Ai nënvizoi se mardhëniet mes Turqisë e Rusisë, nuk përcaktohen nga kërkesat apo imponimet e shteteve të tjera.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, së bashku me homologun rus Vladimir Putin, morën pjesë në ceremoninë e përfundimit të seksionit detar të projektit të gazit natyror “Rrjedha Turke” që u organizua në Stamboll. Kjo bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve Anadollu. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Erdogan tha se ky projekt sjell shumë avantazhe edhe për fqinjët dhe rajonin.

“Federata e Rusisë është mik i besueshëm me të cilin mund të kemi bashkëpunime afatgjata dhe një furnizues i rëndësishëm i gazit natyror”, tha Erdogan, duke shtuar se bashkëpunimi me Rusinë është duke përparuar në një gamë shumë të gjerë. Turqia synon të arrijë një vëllim tregtar prej 100 miliardë dollarësh me Rusinë, nënvizoi presidenti turk. Ai bëri me dije se korniza e mardhënieve Rusi-Turqi asnjëherë nuk është përcaktuar sipas kërkesave apo imponimeve të shteteve tjera.

Nga ana tjetër, edhe presidenti rus Putin shprehu dëshirë që vendi i tij të arrij vëllim tregtar prej 100 miliardë dollarësh me Turqinë. “Rrjedha Turke do të shndërrojë Turqinë në një qendër të rëndësishme të gazit natyror dhe do të ketë ndikim pozitiv në pozitën e Turqisë”, deklaroi Putin. “Është Erdogan ai që emërtoi projektin, ia dha emrin Rrjedha Turke”, tha presidenti rus. Ndërkohë, projekti “Rrjedha Turke” është një tubacion gazi që do të kalojë nën Detin e Zi nga Rusia në Turqi dhe që mund të zgjerohet më tej nga kufijtë e Turqisë me vendet fqinje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!