Heshtje e plotë për fatin e trajnerit Panuçi

schedule19:11 - 18 Nëntor, 2018

schedule 19:11 - 18 Nëntor, 2018

Kristian Panuçi është praktikisht i larguar nga kombëtarja shqiptare. Presidenti Duka ka humbur besimin, por nuk pritet ta shkarkojë përpara miqësores me Uellsin. E fundit herë kur u ndjemë kaq keq ishte saktësisht 11 vjet më parë.

Kombëtarja u shkatërrua në Rumani 1-6, një shkërmoqje e ngjashme me këtë të Shkodrës, por me një ndryshim. Trajneri i asaj kohe, Oto Bariç, nuk ishte në stol për shkak pezullimi, veçse ai vendosi të jepte dorëheqjen. Kristian Panuçi e drejtoi vetë ekipin e tij ndaj Skocisë, humbi 0-4, por nuk deshi të dinte për të ikur vullnetarisht. Një lojë e kohës sonë, trajner-punëdhënës, që vetëm personalitete si Bariç apo Fatih Terim kanë refuzuar që ta luajnë, veçse fati i italianit tashmë duket i përcaktuar. Mesazhi i presidentit Armand Duka përpara ndeshjes ishte i qartë.

Armand Duka, president i FSHF-së: “Të arrijmë rezultat pozitiv. Të fitojmë ndeshjen. Është e vështirë që të bëj analizën e trajnerit tani. Përveçse ti jap kurajo dhe mbështetje maksimale trajnerit dhe ekipit për të arritur objektivin dhe për të fituar ndeshjen. Nëse kjo nuk arrihet, atëhere duhet të flasim në post ndeshje.”

Gjithsesi, për momentin, numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur të presë. Panuçi vazhdon të drejtojë stërvitjet për miqësoren e së martës ndaj Uellsit, që me shumë gjasë do të jetë edhe e fundit e italianit në stol. Burime në Federatë pohojnë se Duka e ka humbur tashmë besimin, por thjesht pret kohën e duhur për të vepruar, ndërsa kërkohet ethshëm një pasardhës. Presidenti nuk dëshiron të gabojë siç thotë se bëri me Ari Hanin apo tani me Panuçin. Cili mund të jetë pasardhësi i këtij të fundit në stol?

Padyshim që një trajner i huaj do të ishte gjithnjë preferencë e Dukës, që zgjedh një të tillë prej 16 vitesh. Më pak presion, por edhe më shumë shpenzim, ndërsa aktualisht Federata nuk ka luksin që pati pas Europianit në 2016. Përplasja me qeverinë i kushton 2 milionë euro në Arenën Kombëtare, ndërsa rroga e Panuçit arrin në 280 000 euro në edicion, nga të cilat ka për të marrë edhe gjysmën. Burime në Federatë kanë bërë me dijë se presidenti ka biseduar edhe me trajnerë shqiptarë, por ende nuk ka vendosur asgjë. Pritet të luhet edhe ndaj Uellsit të martën në “Elbasan Arena”, për të kaluar në etapën e ardhshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!