A do ta ndryshojnë përmbytjet politikën në Gjermani dhe botë?

schedule13:31 - 21 Korrik, 2021

schedule 13:31 - 21 Korrik, 2021

Nga Andreas Kluth “Bloomberg

Ja ku u shfaq sërish “nëna” proverbiale e kombit, duke ecur e zymtë nëpër rrënojat dhe baltën e një qyteti gati të shkatërruar të quajtur Shuld, që qëlloi të jetë gjerman për shkak të “fajit”.Dy muaj para zgjedhjeve që do ta largojnë atë nga politika dhe ta nxjerrin në pension, kancelarja gjermane Angela Merkel, ka bërë çmos për të qëndruar larg fushatës.

Por fatkeqësia natyrore që goditi vendin e saj javën e kaluar nuk i la asaj zgjidhje tjetër veçse të përfshihej. Rajonet përgjatë Rinit dhe zonat përreth nuk kishin parë ndër shekuj në mos kurrë një përmbytje të kësaj shkalle.

Ndërsa numri i të vdekurve në Gjermani dhe Belgjikë i ka kaluar 200, dhe me shumë viktima ende të zhdukura, përrenjtë iu dukën disa banorëve si fillimi i një drame morale që rrëfehej në Mesjetë. A është historia tragjike e Shuldit, si ajo e Zanafillës 6-9, e Zotit që e ndëshkon njerëzimin për ndotjen e krijimit të Tij?

Deri më tani, gjermanët, ashtu si shumë njerëz të tjerë në vendet e pasura, kanë menduar mbi ndryshimin e klimës në terma kryesisht abstraktë, si një anomali që prek kryesisht vendet e varfra si Bangladeshi dhe Burundi, apo si një kërcënim ndaj ishujve ekzotikë si Maldivet. Por tani – madje më shpejt sesa mendonim edhe vetë shkencëtarët – e gjithë bota duket se është në situatë të vështirë, madje edhe vende të begata si Gjermania.

Kur pjesët veriore si Siberia, Finlanda dhe Paqësori Veriperëndimor preken nga valë të mëdha të të nxehtit; kur shtëpitë e ndërtuara mirë me lëndë drusore në Reinland zhduken nga themelet bashkë me njerëzit që janë duke fjetur brenda tyre, atëherë është koha që të rishikojmë supozimet tona të vjetra.

Një efekt politik i kësaj katastrofe është shndërrimi i diçkaje abstrakte – efekti serë dhe ngrohja globale – në diçka konkrete:vuajtja individuale njerëzore, e cila është gjithashtu edhe një padi morale ndaj shoqërive tona.

Për shembull, jo shumë larg Shuldit një përmbytje e shpejtë rrafshoi një shtëpi të kujdesit për njerëzit me aftësi të kufizuara, duke mbytur 12 prej tyre. Fqinjët i dëgjuan ata duke bërtitur në çastet e fundit të jetës.

Një efekt tjetër i kësaj tragjedie, është zhvendosja e debatit publik përtej fragmentimit që ka shoqëruar kataklizmat e mëparshme – pavarësisht nëse kjo ka të bëjë me klimën apo thjesht me motin, me një mega-tendencë apo thjesht me një ngjarje të izoluar.

Teknikisht, për asnjë fatkeqësi individuale nuk mund të fajësohen gazrat serrë të prodhuara nga njeriu. E megjithatë shkenca është aq e qartë në shpjegimin se si ngrohja globale po i shton dhe i përhap katastrofa të tilla.

Pasojat e menjëhershme elektorale janë më pak të qarta. Dikur ka qenë një rregull i zakonshëm që çdo katastrofë natyrore, ishte gjithashtu një mundësi për politikanët në detyrë që të tregonin ndjeshmërinë dhe kompetencën e tyre, dhe kësisoj të fitonin pikë në sytë e elektoratit.

Për shembull, pas një përmbytjeje të madhe që ndodhi në vitin 2002, paraardhësi i Merkel, Gerhard Shrëder, eci me çizme gome nëpër baltë për të takuar njerëzit e prekur nga katastrofa, një gjest që e ndihmoi atë të fitonte një mandat tjetër atë vit.

Merkel bëri diçka të ngjashme pas përmbytjes që ndodhi në vitin 2013, pak para zgjedhjeve të atij viti. Prandaj edhe kandidatët e tre partive që kryesojnë në sondazhe lanë gjithçka tjetër që të vizitonin zonat e përmbytjeve, duke shpresuar që të dukeshin si udhëheqës.

Armin Laschet i Kristiandemokratëve të qendrës së djathtë, duhet të kishte një avantazh në këto rast. Si kryeministër i landit Nordrhein-Westfalen, shteti më i populluar në Gjermani, dhe më i godituri nga përmbytjet, është titullari i vetëm në detyrë në krye të një qeveri rajonale që është në këtë garë për t’u bërë kancelar i vendit.

E megjithatë ai e shpërdoroi mundësinë e tij, kur u pa duke qeshur me të tjerët në prapavijë, ndërsa presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, po zgjidhte fjalët më solemne për të shprehur tronditjet e tij mbi situatën e shkaktuar. Laschet mbetet pretendenti kryesor për të zënë vendin e Merkel.

Por kontrasti midis sjelljes së tij mendjelehtë dhe qasjes dinjitoze të Merkelit në Shuld nuk do ta ndihmojë atë. Ndërkohë nuk është e qartë nëse të Gjelbrit, që renditen të dytët në sondazhe, do të përfitojnë nga kjo gjendje.

Lufta kundër ndryshimit të klimës është kauza e tyre kryesore, prandaj një përmbytje duhet që t’i favorizojë ata, të paktën përkohësisht. E megjithatë kandidatja e tyre, Annalena Baerbock, ka bërë gabimet e veta. Dhe të Gjelbrit, me rreth 18 për qind në sondazhe, ndjekin nga pas Kristiandemokratët që janë10 për qind më shumë.

Problemi më i madh për votuesit – në Gjermani ashtu si edhe gjetkë – është se përmbytjet, zjarret, thatësira dhe katastrofa të tjera të shkaktuara nga klima, nuk ofrojnë udhëzime të thjeshta dhe të qarta politike, dhe sigurisht jo këshilla partiake.

Përveç ekstremeve populiste, të gjitha partitë e establishmentit gjerman bien sot dakord se synimi është të eliminohen emetimet e gazrave serë deri në vitin 2045. Dallimet kanë të bëjnë me mënyrën e arritjes së këtij qëllimi, dhe mënyrën e balancimit të emetimeve gjermane përkundër të tjerëve, përfshirë kohezionin social dhe konkurrencën ekonomike.

Partitë e qendrës së djathtë, e vënë theksin tek mekanizmat miqësorë ndaj tregut siç është taksa mbi karbonin, ndërsa pranojnë se do të jenë të nevojshme edhe disa kufizime të tjera. Ndërkohë partitë e qendrës së majtë kanë një qasje të kundërt, duke kërkuar ndërhyrjen direkte të shtetit në ndalimin e përdorimit në të ardhmen të motorëve me djegie të brendshme apo fluturimet e linjave të shkurtra, përveç një takse më të lartë mbi karbonin.

Për njerëzit e thjeshtë, këto janë më shumë nuanca, sesa alternativa të forta. Kjo është arsyeja pse shumë gjermanë duan aktualisht që qeveria e ardhshme të jetë një koalicion midis Demokristianëve dhe të Gjelbërve.

Përkundër tronditjes që ka shkaktuar përmbytja, gjermanët janë gjithashtu të kujdesshëm për të reaguar ndaj çdo katastrofe në rrënjën e një problemi. Shumë njerëz e mbajnë mend vendimin e papritur të Gjermanisë për të hequr dorë nga energjia bërthamore pas incidentit në Fukushima një dekadë më parë, një reagim i tepruar që e ka vështirësuar de-karbonizimin e rrjetit elektrik gjerman.

Përmbytjet e këtij viti dhe fatkeqësitë e tjera, po bindin gjithnjë e më shumë njerëz se rezistenca ndaj ndryshimeve klimatike, meriton të jetë përparësia jonë politike, madje edhe në kohë trazirash pandemike dhe gjeopolitike. Por ato janë gjithashtu një kujtesë se sa i dhimbshëm do të jetë ky proces.

Këtë verë, shumë gjermanë po ndihen të mbingarkuar – dhe dyshojnë se udhëheqësit e tyre nuk janë ndryshe nga ata. Pavarësisht se si do të dalin zgjedhjet e shtatorit, fati i Shuld sugjeron se njerëzimit i mbetet të përballet me shumë katastrofa të ngjashme, derisa gjërat të nisin të ndryshojnë vërtet./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!