Ditën e sotme përmes një deklarate në faqen zyrtare të klubit, Milani njoftoi se COU, Ivan Gazidis është diagnostikuar me një lloj kanceri në fyt. Ai foli vetë për faqen e klubit dhe tregoi se mjekët i kanë dhënë shpresë të madhe për shërim dhe dha një mesazh për ne të gjithë.
“Sigurisht, nuk ka kurrë momente të mira për një diagnozë të kancerit. Por për fat të mirë duket si një formë shumë e shërueshme. Një ekip i nivelit të lartë mjekësor do të më ndjekë dhe unë kam mbështetjen e të dashurve të mi dhe të gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të Klubit.
Kam besim, bazuar në të gjitha konsultat e para mjekësore, që tumori do të trajtohet me sukses deri në shërimin e plotë. Diagnoza ime demonstron rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, edhe nëse nuk kam simptoma.
Ndjej se mund të inkurajoj gjithsecilin që t’i japë përparësi shëndetit të tij dhe të mos nënvlerësojë parandalimin, madje edhe në detyrimet e përditshme të jetës dhe punës”, tha Gazidis. /abcnews.al