Turizëm/ KBR jep 12 grantet e para, përfitues edhe Shqipëria

schedule19:39 - 17 Nëntor, 2018

schedule 19:39 - 17 Nëntor, 2018

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka dhënë 12 grante për promovimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor. Grantet me vlerë 548 mijë euro në total janë pjesë e një projekti 5 milionë euro të Bashkimit Europian për krijimin e një oferte turistike rajonale.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka dhënë 12 grantet e para të projektit të financuar nga Bashkimi Europian me qëllim promovimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i granteve me vlerë 548 mijë euro në total, një prej të cilëve i përfituar nga Shqipëria, është krijimi i një oferte të përbashkët rajonale të turizmit kulturor dhe atij të aventurës.

Në ceremoninë e zhvilluar në Sarajeve, Bosnjë Hercegovinë, sekretari i Përgjithtshëm i Këshillit, Goran Svilanoviç, tha se këto grante do të kontrinbuojnë në zgjerimin e ofertës turistike rajonale, pasi mbulojnë të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Sipas Genoveva Ruiz Calavera, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, projekte të tilla do të ndihmojnë rajonin në përmbushjen e aspiratës së Bashkimit Europian.
“Bashkëpunimi ekonomik rajonal është prioritet për ne, pasi ne duam të japim më shumë vende punë, më shumë rritje dhe më shumë prosperitet për qytetarët e rajonit. Duke u bashkuar si një rajon dhe zhvilluar e promovuar produkte të njësuara turizmi, Ballkani perëndimor mund të krijojë një ofertë shumë më të gjërë dhe ngacmuese për tregun europian dhe më gjërë”, tha Calavera. Në mesin e gjashtë përfituesve është edhe Shqipëria.

Romina Sahiti, Instituti i Politikave Publike dhe Private: “Ky grant ka për qëllim që të zhvillojë një produkt turistik, i cili do të prekë 3 shtete, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Zakonisht në rajonin e Bjeshkëve të Namuna. Sikundër edhe sektori i turizmit, edhe ky produkt ka gjithashtu për qëllim që të rrisi punësimin dhe të zhvillojë vlerat e përbbashkëta turistike që ka ky rajon.”

Zhvillimi dhe promovimi i turizmit në Ballkanin Perëndimor, përfshi Shqipërinë, është thelbi i një projekti me vlerë 5 milionë euro të financuar nga Bashkimi Europian që do të zbatohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!