Filloi sot në ABC, Doktor Plastik reality show i famshëm mbi kirurgjinë estetike. Në episodin e sotëm një nënë e re rrëfeu historinë e jetës së saj. Vetëm dy muaj pas martesës, Amanda Bardhi përballet me humbjen e papritur të vëllait të saj të vogël në një aksident. Ishte një tragjedi të cilën Amanda e përjetoi duke rënë në depresion të thellë dhe duke lënë veten pas dore.
Pas humbjes së parakohshme të vëllait, erdhën në jetë dhe dy vajzat e saj. Shtatzënitë e rënduan edhe më tej fizikun e saj të lodhur dhe të lënë pas dore. Por një koment i bashkëshortit lëshoi këmbanën e parë të alarmit: “Ky barku jot ma shpif”- ishte një koment gati i pafajshëm i të shoqit kur Amanda një ditë e pyet se çfarë do të dëshironte të ndryshonte te vetja.
E nxitur nga ky koment i bashkëshortit por edhe e lodhur nga vite të tëra zie për të vëllanë, Amanda erdhi në Doktor Plastik me kërkesën për të ndryshuar pamjen. Dhe falë disa ndërhyrjeve kirurgjikale të kombinuara të realizuara në Spitalin Amerikan 2 nga doktoreshë Rezarta Kapaj si abdomenoplastika, liposucioni dhe mbushje e gjoksit me dhjamin e trupit, Amandës iu rikthye trupi i saj kur ka qenë vajzë.
Dhe njëkohësisht i lindi shpresa për të nisur sërish jetën e saj; me dashurinë e patjetërsueshme për të vëllanë por edhe me dashurinë për jetën dhe veten e saj. Shikoni transformimin e jashtëzakonshëm të saj të realizuara në Spitalin Amerikan 2. /abcnews.al