Presidenti i Serbisë është ankuar tek ambasadori amerikan në Beograd lidhur me taksën e vendosur nga Kosova për mallrat serbe. Ndërsa diplomati i SHBA-ve u kërkoi palëve që të vazhdojnë dialogun dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua me ambasadorin e SHBA në Beograd Kyle Scott, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Kreu i shtetit serb përsëriti ankesën e tij se Prishtina, duke futur taksa mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, shkeli Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore.
Ndërsa nga ana tjetër, ambasadori Scott i ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të tregojnë fleksibilitet në arritjen e një zgjidhjeje që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe vazhdimin e dialogut. Diplomati amerikan deklaroi pas takimit me Vuçiç se ata diskutuan nevojën për një udhëheqje të guximshme në dialogun me Prishtinën. “Takimi i shkëlqyer me presidentin Vuçiç gjatë të cilit kemi diskutuar nevojë për një udhëheqje të guximshme në dialogun e vazhdueshëm me Prishtinën, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin”, shkruan Scot në llogarinë e tij në Twitter.
Ndërkohë, më herët kryeministrja Ana Bërnabiç në një intervistë për Dojçe Vele tha se ekziston mundësia që deri në vitin 2025, Serbia të nënshkruajë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e raporteve me Prishtinën. Ajo e konsideroi shumë të rëndësishëm akordin me Kosovën, pasi sipas shefes së qeverisë serbe, nuk do të ketë anëtarësim në BE pa zgjidhur këtë problem. /abcnews.al