E ndërsa prokuroria në Kosovë ka nisur hetimet për ngjarjen në Deçan ku janë regjistruar mbi 1500 persona që kanë kërkuar trajtim shëndetësor për shkak të helmimit, drejtori i Kabinetit të Presidentit Ilir Meta, Edmond Panariti shprehet se presioni për një përgjigje për arsyen është i madh, por ka disa kritika.
“Le të jemi seriozë! Sigurisht që presioni për të patur një përgjigje për shkakun e helmimeve nga uji në Deçan është i madh.
Por të deklarosh se u zbuluan bakterie në ujë që mendohet se lidhen me helmimet në popullatë, nuk është lajm. Uji i rrjetit edhe në vendet me sistemet më të përparuara të filtrimit dhe të dezinfektimit, është plot e për plot me bakterie, kryesisht të pa dëmshme.
Por ama është krejt ndryshe të deklarosh se zbuluam sasi të larta të baktereve Legionella, Salmonella në ujin e rrjetit në përqëndrime për ml, disa herë më të larta se norma.. Ky po është rezultat!
Kjo po që është një gjetje që shpie drejt zbulimit të shkakut. Por të deklarosh se zbuluam thjesht disa bakterie në ujë të cilat dyshohen si shkak të helmimit. kjo meriton thjesht një buzëqeshje” shkruan Panariti në Facebook.
Reagimi i Panaritit ishte për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që deklaroi se në Deçan janë identifikuar bakterie të cilat japin indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm./ Abcnews.al