Nisin hetimet për arratisjen e Gruevskit

schedule17:47 - 15 Nëntor, 2018

schedule 17:47 - 15 Nëntor, 2018

Institucionet në Maqedoni po hetojnë lidhur me arratisjen e ish-kryeministrit Gruevski. Dy forcat më të mëdha të politikës kanë akuzuar njëra-tjetrën. Ndërkohë gazeta serbe “Politika” shkruan se ish-Kryeministri Gruevski është arratisur përmes Shqipërisë.

Për momentin janë duke u zhvilluar dy hetime në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë për t’u vërtetuar organizimi i arratisjes së ish-Kryeministrit Nikola Gruevski dhe kush i ka ndihmuar. Mbrëmë në “Klan Debat” rreth përgjegjësive institucionale, Zv/Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, thotë se ky dikaster nuk ka përgjegjësi, duke hedhur fajin tek gjykatat e vendit.

Agim Nuhiu, zv/ministër i Brendshëm, Maqedoni: “Ministria e Brendshmë prej momentit që ka marrë në tavolinën e vet aktin e referimit nga gjykata për të siguruar zotin Gruevski për të vuajtur dënimin me burg, edhe ne kemi marrë masa e caktuara operative”.

Partia në pushtet LSDM-ja ka kërkuar përgjigje nga lideri I opozitës Mickovski rreth rolit të tij në arratisjen e ish-Kryeministrit.

Kostadin Kostadinov, LSDM: “Cili ka qenë qëllimi i vizitës së Mickovskit në Budapest dhe Beograd në gjysmën e dytë të tetorit të këtij viti? A kanë lidhje këto vizita me përgatitjen për arratisje të Nikola Gruevskit”?

Nga opozita përgjegjësinë e hedhin tek qeveria, duke kërkuar dorëheqje të Kryeministrit Zaev dhe ministrit të Brendshëm Spasovski.

Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE: “Përgjegjësia për lëvzijen, për metodat dhe për mënyrën e arratisjes së Nikola Gruevskit është tek qeveria. Zaev dhe Spasovski duhet të japin dorëheqje të parevokueshme për shkak të mosfunksionimit të institucioneve në Maqedoni”.

Ndërkaq, Gazeta e Beogradit “Politika” ka njoftuar se ish-Kryeministri Nikola Gruevski është arratisur në Hungari përmes Shqipërisë. Gazeta thotë se Gruevski me pasaportë të rrejshme, gjatë natës ka kaluar kufirin maqedono-shqiptar ku ka qenë i pranuar në ambasadën hungareze në Tiranë.

Të nesërmen në mëngjes, siç pohon gazeta, me fluturimin e parë të kompanisë ajrore Malev, Gruevski nga Tirana ka arritur në Budapest. Ndërkaq Radio Evropa e Lirë duke iu referuar kësaj gazete saktëson se agjencia Malev nuk funksionon që nga viti 2012./abcnews.al