Presidenti Ilir Meta ka reaguar për zbulimin e varreve masive në Përmet, që i përkasin periudhës komuniste. Kreu i shtetit, përmes një postimi në rrjetet sociale kërkon zbardhjen me transparencë.
Sipas Metës, të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.
Presidenti thekson më tej domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave.
“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës.
I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.
Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror.
Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë,” shkruan Meta. g.v/abcnews.al