Kombëtarja po përgatitet për lojë sulmuese ndaj Skocisë. Trajneri Panuçi ka ende dyshime për formacionin, me kapitenin Mavraj që mund të lihet rezervë, dhe Grezdën ende me probleme fizike.
Dyshimet mbeten, ndonëse mendimi po qartësohet. Kombëtarja pritet të dalë në fushë me skemë sulmuese në ndeshjen e fundit zyrtare të vitit, atë ndaj Skocisë, ndërsa trajneri Panuçi ka ende lojtarë në pikëpyetje.
Skema e italianit besohet se do të jetë me tre lojtarë në mbrojtje, dhe me pesë në mesfushë, në përpjekje për të bërë presion e për të arritur fitoren.
Mërgim Mavraj, njëri nga kandidatët për kapitenë, pritet të jetë në stol, ndërsa Panuçi ndoshta mendon që Gjimshiti është në formë më të mirë, duke luajtur e duke shënuar në Serinë A.
Në mungesë të Bashës dhe të Ramadanit, në mesfushë mendohet të jenë titullarë Sabien Lilaj dhe Ergys Kaçe. Dyshimi më i madh ka të bëjë me Eros Grezdën, një nga lojtarët më të rëndësishëm për Panuçin, por që sërish nuk është 100 për qind i gatshëm.
Për dy ditë me radhë lojtari i Gllazgou Rejnxhërsit bëri stërvitje individuale, ndonëse ende ka shpresë që të jetë titullar.
Në sulm, besohet se zgjedhje e parë do të jetë Bekim Balaj, kurse pas tij pritet të jetë treshja Uzuni-Memushaj-Grezda.
Gjithsesi, ekziston mundësia që Panuçi të ndryshojë në momentet e fundit përsa i përket skemët dhe lojtarëve, pasi gjatë përgatitjes ai ka bërë prova të shumta.