Vitin e ardhshëm bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa. Shqipëria këtë vit pritet të arrijë nivelin më të lartë që nga viti 1993 në mbledhjen e të ardhurave, megjithëkëtë në raport me vendet e rajonit ka rendimentin më të ulët.
Shqipëria ka taksat më të larta dhe buxhetin më të varfër të rajonit. Revista ekonomike Monitor ka bërë këtë konstatim në një analizë, ku thotë se për vitin 2018 bizneset dhe individët pritet të paguajnë në total rreth 3.3 miliardë euro taksa.
Vetëm nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliardë euro. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit.
Pas saj vijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme.
9% të të ardhurave sigurohen nga akciza që është kategoria e tretë.
Akcizën, sëbashku me TVSH bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, që do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro.
Pas akcizës renditen taksa nacionale, tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.
Shqipëria këtë vit pritet të arrijë nivelin më të lartë, që nga viti 1993, në të ardhurat që mbledh nga bizneset dhe individët.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të ardhurat do të arrijnë në 28.2%, por sipas Monitor në raport me vendet e rajonit vendi ynë ka rendimentim më të ulët.
Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit. Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%.
Zëri ku Shqipëria çalon dukshëm është ai i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore thekson revista ekonomike, me vetëm 5.2% të PBB-së vendi ynë mbledh sa gjysma e mesatares së rajonit. Në Serbi dhe Mal të Zi, ky tregues i kalon 12% të PBB-së.
Një tregues ky i informalitetit të lartë të punës në vend ku një pjesë e madhe e punonjësve deklarojnë paga minimale, por edhe e faktit që Shqipëria ka një numër të lartë të të punësuarve në sektorin bujqësor, që paguajnë kontribute minimale, ose nuk paguajnë fare.
Ndërkohë që një tjetër kategori që mbldihet rreth 2-3 pikë përqindje më pak se mesatarja e rajonit është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Akciza mblidhet rreth 3 pikë përqindje të PBB-së më pak, dhe tek të ardhurat personale (rreth 1 pikë përqindje më pak), por është më mirë në të ardhurat që gjeneron nga tatimfitimi i bizneseve.
Statistikat tregojnë se Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë më pak se 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërkohë që, sipas tabelave të publikuara nga Banka Botërore në kuadër të raportit “Të bësh biznes 2018” Shqipëria dhe Serbia kanë nivelet më të larta të taksave në rajon për vitin 2017 kur rezulton të jenë dyfishuar edhe takast bashkiake.
Bizneset shqiptare paguajnë si taksa 37.3% të fitimit dhe në Serbi 39.7%. Nivelin më të ulët e kanë Maqedonia dhe Kosova me përkatësisht 13.2% dhe 15%.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se taksa që rëndon më shumë mbi sipërmarrjet shqiptare është ajo e kontributeve të sigurimeve, me 16.92% të totalit.
Zëri i dytë që rëndon më shumë bizneset është ai i tatim fitimit, me 14% të totalit.
Barra e taksave të tjera është më pak se 2% e totalit të fitimeve./abcnews.al
https://youtu.be/FFyjz9DbVnM