​Drejtori i QKMF-së në Deçan: 900 qytetarë u trajtuan si pasojë e helmimit

schedule17:39 - 13 Korrik, 2021

schedule 17:39 - 13 Korrik, 2021

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Selmon Berisha ka thënë se deri në këto momente numri i personave me simptoma të njëjta që dyshohet për helmim nga uji ka shkuar në 900, ndërsa mbi 1 mijë e 500 persona janë trajtuar në këtë QKMF. Ai tha se kanë hasur në vështirësi me barna nga lista esenciale, por tanimë janë furnizuar me një kontingjent.

Berisha: Numri i pacientëve me simptoma të njëjta ka arritur në 900.

“Numri i paraqitjeve deri më tash që janë me simptoma të njëjta janë 800 e diçka ndërsa vdekjet të cilat sipas neve nuk kanë lidhje me këtë mirëpo analizat postmortore do tregojnë se me çka ka të bëjë ajo. Sipas neve nuk ka të bëjë me infeksion …1 mijë e 500 janë vizita totale ku prej 800 e diçka kanë simptomatologji të njëjtë mund të them se tani ka arritur 900”, tha Berisha.

Derisa ka mohuar se dy vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në orët e fundit në spitalin e Pejës nuk lidhen me këto helmime, Berisha dha detaje për dy pacientët tashmë të ndjerë për të cilët Prokuroria e Pejës ka kërkuar tu bëhet obduksioni nga Institutit i Mjekësisë Ligjore.

Berisha: Pacientët me këto simptoma i kemi trajtuar me terapi adekuate

“Rasti i parë që ka ndodhur në Prilep ekipi mjekësor emergjent ka shkuar e ka marr pacientin dhe kanë dërguar në Spitalin e Pejës nuk është trajtuar si rast i infektuar tek ne, po ashtu një rast që ka ardhur mbrëmë ka ardhur me probleme kardiake, mos t’i përziejmë gjërat, pacientët që janë trajtuar me këto simptoma ne i kemi regjistrat dhe janë duke u trajtuar me terapi adekuate”, u shpreh drejtori i QKMF-së.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha tha se ditët e kaluara kanë pasur vështirësi me barnat nga lista esencial, por tani janë furnizuar me një kontingjent dhe po ashtu kanë marr zotimet se nuk do kenë telashe në këtë drejtim.

Berisha: Kemi pasur vështirësi me barna nga lista esenciale, tashmë kemi marr një kontingjent

“Deri më tani është një numër goxha i mirë i pacientëve që kanë marr përkujdesen mjekësor në QKMF dhe do vazhdojmë gjithashtu që t’i mbështesim të gjithë pacientët që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Deri më sot kemi pasur vështirësi me furnizim nga lista esenciale, por sot nga ministri Vitia nga presidentja morëm premtimin se do të furnizohemi me listën esenciale…Kemi nevojë kryesisht për listën emergjente meqenëse të gjithë pacientët janë trajtuar në emergjencë sot kemi marr një kontingjent për dy-tri ditët e ardhshme nuk kemi nevojë, kemi përpiluar listën e kemi dërguar në MSh të cilët janë zotuar se për barna nuk do kemi probleme”, tha ai.

Në komunën e Deçanit pacientët e infektuar i ka vizituar sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla. Po ashtu për vizitë në Deçan ka qëndruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ndërsa, kjo komunë për shkak të situatës së krijuar ka shpallur edhe gjendje emergjente.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!