18 masa disiplinore midis të cilave 9 vërejtje për paralajmërime nga puna janë dhënë për drejtuesin dhe administratën e spitalit rajonal në Vlorë. Janë këto masat e reja ndëshkimore që raportoi Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pas denoncimeve të qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes.
“Gjatë javës së kaluar Task-Forca Antikorrupsion kanë kryer inspektimin administrativ në spitalin rajonal të Vlorës. Objekti i kontrollit kanë qenë prokurimet publike dhe ekzekutimi i kontratave në fushën e trajtimit, menaxhimi dhe evidimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore si dhe furnizimit me medikamente. Lidhur me shkeljet e rekomanduara Task-Forca ka rekomanduar 18 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të këtij spitali. Janë rekomanduar gjithsej 9 masa disiplinore vërejtje me paralajmërim për largim nga puna, për monitorimin e kontratave, për mospërmbushjen e detyrimeve të përcaktuara ligjore për ish-drejtorin e spitalit, aktualisht në detyrën e mjekut në këtë spital si dhe tetë personave përgjegjës anëtarë të komisioneve të prokurimit dhe anëtarë të komisioneve të tjera. Gjithashtu janë rekomanduar nëntë masa disiplinore vërejtje me shkrim për shkelje të proceseve të prokurimit për drejtuesin e spitalit dhe tetë persona të tjerë përgjegjës, anëtarë të komisioneve të prokurimit. Task-Forca Antikorrupsion ka konstatuar mungesa të mbulimit me shërbimin për evadimin e mbetjeve të rrezikshme në disa periudha gjatë 2018-s, shkelje të procedurave dhe kontratave ligjore gjatë shërbimit mbi realizimin e procesit të evadimit të mbetjeve dhe mangësi në dokumentacionin përkatës”, deklaroi Gjonaj./abcnews.al