Letra emocionuese e heronjve të 1982: Itali guxo, historitë e bukura nuk harrohen

schedule10:59 - 11 Korrik, 2021

schedule 10:59 - 11 Korrik, 2021

Si sot 39 vite më parë, Italia fitonte 3-1 kundër Gjermanisë në finale dhe siguronte Botërorin e tretë në histori. Ishte 11 korriku i vitit 1982 dhe kombëtarja e kaltër përmbyllte në mënyrën më të mirë të mundshme një Botëror fantastik.

Heronjtë e ekipit të drejtuar nga Enzo Bearzot, kanë shkruar një letër për kombëtaren aktuale, që sonte në mbrëmje (21:00) do të përballet me Anglinë në “Wembley” për fitimin e Euro 2020, trofe që mungon në Romë prej vitit të largët 1968.

Disa legjenda nuk janë më, por asnjë firmë nuk mungon në letrën e drejtuar djemve të Roberto Mancinit. Për Gaetano Scirean e madh ka firmosur Mariella Scirea, Federica Rossi për Pabliton, yllin dhe goleadorin e Italisë, njëkohësisht fitues i “Topit të Artë”, vajza Cinzia për ish-trajnerin Bearzot dhe Paolo Maldini për Cesaren, zëvendës trainer i kombëtares së 39 viteve më parë.

Javët e fundit e kemi parë tek ju shumë nga historia jonë, sportive dhe njerëzore. Në guximin tuaj, në pasionin tuaj, në ndjenjën tuaj të përkatësisë, në vrullin tuaj përpara pas një periudhe të vështirë, ne e kemi gjetur veten.

Historitë e bukura nuk harrohen kurrë, sepse nuk mbarojnë kurrë; ato kthehen në emocione që i rezistojnë kohës, kujtime që forcohen, kalojnë nga zemra në zemër dhe nga kujtesa në kujtesë. Do të jetë e njëjta gjë për ju, çfarëdo që të ndodhë.

Faleminderit që na bëtë t’i përjetojmë sërish të gjitha këto, që na bëtë të ndihemi edhe një herë të rinj dhe të patrembur, dhe që treguat se brenda çdo italiani ekziston një forcë e thellë, e madhe dhe shpesh e paparashikueshme, që shpërthen në momente të vështira dhe e bën të mundur dhe arritjet që nuk duken të tilla.

Guxoni gjithmonë, ëndërroni për të ardhmen që mund të ndërtoni. Dhe tani shkoni në Londër, zbrisni në atë fushë dhe jepni gjithçka siç keni bërë gjithmonë… historitë e bukura nuk mbarojnë kurrë! Forca djema.

1 Dino, 2 Franco, 3 Beppe, 4 Antonio, 5 Fulvio, 6 Claudio, 7 Gaetano-Mariella, 8 Pietro, 9 Giancarlo, 10 Beppe, 11 Gian Piero, 12 Ivano, 13 Lele, 14 Marco, 15 Franco, 16 Bruno, 17 Daniele, 18 Alessandro, 19 Ciccio, 20 Paolo-Federica, 21 Franco, 22 Giovanni, trajner: Enzo-Cinzia, zv trajner: Cesare-Paolo”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!