Prokuroria kërkon testin e ADN-së për Xheçukën

schedule17:15 - 13 Nëntor, 2018

schedule 17:15 - 13 Nëntor, 2018

Prokuroria e Tiranës dyshon se Hektor Xheçuka, autori i dyshuar i vrasjes së Emiliano Boçit në kryeqytet, mund të jetë përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Hetuesit dyshojnë se ai është një vrasës me pagesë.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e analizave të ADN-së për Hektor Xheçukën, i arrestuar pak ditë më parë në Kakavijë si autor i dyshuar i vrasjes se Emiljano Boçit, në janar të këtij viti në kryeqytet.

Organi i akuzës ka dyshime se Xheçuka është një vrasës me pagesë dhe për këtë arsye kërkon që të krahasojë profilin e tij gjenetik me ate te gjetur ne ngjarje të tjera të pazbardhura në Tiranë. Edhe pse 30 vjeçari nuk e ka pranuar vrasjen e Boçit, policia thekson se ka prova shkencore që e implikojnë Xheçukën në krim. Uniformat blu kanë analizuar pamjet e kamerave te sigurisë në vendin ku ndodhi ngjarja. Në videon e sekuestruar pranë ambienteve të jashtme të lokalit ku ndodhi vrasja, duket autori i dyshuar, ndërkohë është administruar një shishe uji, që dyshohet se i përket të arrestuarit.

Me këto prova, Gjykata e Tiranës la në “arrest me burg” 30-vjeçarin Hektor Xheçuka. Prej 10 muajsh ai  ka qenë në përgjim dhe nën vëzhgim në terren për lëvizjet dhe njerëzit që takonte. Grupi hetimor ka dyshime se Xheçuka e ka ekzekutuar Boçin për llogari të personave të tretë.

Ai ishte paguar për të kryer krimin, ku mbeti i plagosur edhe një person tjetër. Nën hetim janë edhe disa persona të tjerë që kanë bashkëpunuar në vrasje, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për të mos zbuluar sekretin hetimor. Hektor Xheçuka nga Burreli edhe më parë ka qenë i dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë, por që nuk u vërtetua asnjëherë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!