Ardian Mema mbetet në stolin e Tiranës

schedule14:20 - 13 Nëntor, 2018

schedule 14:20 - 13 Nëntor, 2018

Trajneri Ardian Mema do të vazhdojë punën tek Tirana. Ai nuk u largua pas humbjes në Gjirokastër, por gjithsesi ka një afat që do të vendosë të ardhmen.

Disfata në Gjirokastër thuajse e largoi.

Ardian Mema u shpreh pas asaj humbjeje se do të fliste me presidentin Halili për pozicionin e tij, veçse më e keqja nuk ndodhi.

Palët folën, të paktën sipas burimeve në klub, por divorc nuk pati, ndërsa duket se është lënë një afat, derbi ndaj Partizanit.

Vetëm nëse Tirana do të vazhdojë me humbjet, përfshi edhe ndaj të kuqve, Mema mund të ikë, dhe kjo më shumë me vullnetin e tij, sesa me vendim të presidentit.

“Është e pamundur që trajneri të largohet në këtë moment, – u shprehën për ABC News-in, burimet e mësipërme, – Mema po bën maksimumin dhe skuadra po luan mirë, veçse për fat të keq rezultatet nuk po vijnë”.

Vetë Mema po vazhdon punën me skuadrën, ndërsa përpiqet të mbetet me shpresë se mund ta ndryshojë situatën.

Në këtë moment të vështirë, trajneri I bëri thirrje kujtimeve të vjetra, duke postuar në FB një foto të kohës kur ishte lojtar, së bashku me Indrit Fortuzin dhe Agustin Kolën, një përpjekje e qartë për të rritur moralin.

Ndërkaq, ish-trajneri I Tiranës, Mirel Josa, u shpreh për mediat e shkruara se “faji nuk është i Memës, por i drejtuesve të klubit”.

Pas humbjes në fushën e Luftëtarit, Tirana është në vendin e tretë nga fundi në Superligë, vetëm 2 pikë larg zonës së rënies nga kategoria. /abcnews.al