Banorët në Lushnjë janë të shqetësuar nga ndotja që u shkakton një përrua që përshkon mes përmes qytetin. Për këtë situatë nuk reagojnë as Bashkia dhe as Bordi i Kullimit.
Përshkon Lushnjën në mes. Përrua i kthyer në xhungël e pisët. Banorët e zonës shkarkojnë plehrat këtu. I mbuluar nga kallamë deri në 7 metër, poshtë tyre qarkullojnë ujërat e zeza të disa lagjeve. Dimri po afron dhe i gjithë ky territor do të përmbytet. Uji do të hyjë në banesa.
“Ky kanal ka 3 vjet që nuk është pastruar”.
“Mund të ketë dhe përmbytje, duhet pastruar kanali”.
Djegia e kallameve është mënyra më e zakonshme për të ulur nivelin e ndotjes. Për çdo rast zjarrvënie digjen edhe kabujt e energjisë elektrike apo të internetit.
“I vënë zjarrin, digjen telat, s’kemi korent, s’kemi televizor, na janë prishur”.
Rruga që kalon përmes lagjes 18- tetori është e ndotur në të dyja krahët e saj. Plehrat hidhen në përrua. Të dukshme kudo, një pjesë e tyre përfundojnë në kanal.
Asnjë mjet pastrimi nga bordi i kullimit, apo bashkia e Lushnjës, nuk është vënë në punë gjatë viteve të fundit. Ndotja ka arritur nivele alarmante, ndërsa zona është pagëzuar me emrin përroi i pisët. /abcnews.al