Presidenti i vendit Ilir Meta zhvilloi të hënën një vizitë zyrtare në Hungari ku u prit nga homologu i tij Janos Ader. Kreu i shtetit shqiptar mori pjesë edhe në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Budapest.
Në një postim në Facebook, Meta shprehet mbrëmjen e së martës se marrëdhëniet mes dy shteteve i kanë rrënjët e forta. Kjo pasi, siç shprehet kreu i shtetit, ato u zhvilluan dhe u thelluan “nga aleanca strategjike mes Heronjve tanë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janosh Huniadi.
Presidenti shprehet se marrëdhëniet mes dy popujve fituan një shkëlqim të veçantë dhe tepër domethënës kur vendi ynë pati fatin e madh të kishte për Mbretëreshë, “Trëndafilin e bardhë të Hungarisë”, Geraldine Appony.
Vitin tjetër, 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Hungarinë, sipas kreut të shtetit, do të kremtohet me të gjithë madhështinë, që meriton lidhja e fortë mes dy popujve.
POSTIMI
“Marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore, historike dhe tradicionale mes Shqipërisë dhe Hungarisë kanë rrënjë të forta, sepse u zhvilluan dhe u thelluan nga aleanca strategjike mes Heronjve tanë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Janosh Huniadi, për të vazhduar më pas me ndihmën e çmuar hungareze për krijimin e shtetit modern shqiptar më 1912 dhe deri në kohët e sotme, kur Hungaria qartësisht është një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë.
Por në të gjitha takimet e mia në Budapest, nuk mund të mos theksoja se marrëdhëniet mes dy popujve tanë fituan një shkëlqim të veçantë dhe tepër domethënës kur vendi ynë pati fatin e madh të kishte për Mbretëreshë, “Trëndafilin e bardhë të Hungarisë”, shumë të dashurën dhe të paharruarën Geraldine Appony, e cila gjithë jetën e saj ja dedikoi Shqipërisë, begatisë, përparimit dhe europianizimit të plotë të saj, me dashuri dhe besnikëri të përjetshme.
Mbështetur mbi këtë trashëgimi kaq të vyer, jam i bindur se 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Hungarinë, vitin e ardhshëm, do ta kremtojmë me të gjithë madhështinë, që meriton lidhja kaq e fortë mes dy popujve tanë.” s.b/abcnews.al/