Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Rama: S’do të ketë mbrojtje, flamuri i PS s’bëhet mbulesa e askujt

schedule10:54 - 6 Korrik, 2021

schedule 10:54 - 6 Korrik, 2021

Kryeministri Edi Rama është distancuar nga kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, i cili u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK, duke deklaruar nuk do ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste. Rama shprehet se ashtu si çdo person tjetër i akuzuar nga drejtësia do duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë me avokatët e tyre dhe gojën e tyre.

Ai shton se PS u shërben zgjedhësve dhe jo të zgjedhurve ndërsa shton se çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varët nga asnjë individ por është flamur beteje i PS.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.

Kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme bashkë me 11 persona të tjerë vartës të tij dhe biznesmenë. Abcnews.al mëson se Tushe është vënë në pranga pasi dyshohet se ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!