Euro 2020 ka prodhuar mjaft spektakël dhe surpriza, por magjia e golave nga gjuajtja e lire po i mungon këtij kompeticioni. Plot 135 herë ka përfunduar topi në rrjetë deri më tani, por golashënuesit e “Euro 2020” nuk e kanë bërë një gjë të tillë nga goditja e dënimit.
Ronaldo shënoi 5 gola para se të eliminohej nga Kampionati Europian, por asnjë prej tyre nuk e realizoi nga jashtë zonë me goditje dënimi. E nëse sulmuesi portugez nuk mundi ta bëjë një gjë të tillë, të kundërtën ka bërë rivali i tij në një tjetër kompeticion, Copa America.
Leo Messi ka shënuar dy gola nga gjuajtjet e lira dhe e ka udhëhequr Argjentinën drejt gjysmëfinales së Copa America. Deri në këtë fazë, ylli i Barcelonës ka qenë lideri i kësaj kombëtareje, duke u përfshirë në 10 golat e shënuar.
Në gjysmëfinale, argjentinasit do të përballen me Kolumbinë, ndaj të cilëve do të kërkojnë vetëm fitore, ndërsa 5 golat e Ronaldos nuk e ndihmuan Portugalinë të kualifikohej më larg se faza e 1/8-ave. /abcnews.al