Greqia, që bën pjesë në pesëshen e palëkundur të Bashkimit Evropian që nuk njeh Kosovën, e ka njohur ligjshmërinë e shtetësisë së Kosovës. Së paku kështu deklaroi ministri i saj i Jashtëm grek. Nikos Dendias përmend se GjND-ja nuk ka gjetur shkelje në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe se ajo nuk është shpallur me ndonjë metodë të dhunshme.
Kryediplomati grek, Nikos Dendias, që së fundmi ka vizituar dy herë Prishtinën, tregon se Greqia nuk ka qëndrim negativ mbi shtetësinë e Kosovës.
Këtë ai e ka zbuluar gjatë një interviste, dhënë për një media të vendit kur u pyet se a janë vizitat e tij në Prishtinë dhe zgjerimi i zyrës ndërlidhëse, shenja se Greqia do ta njohë Kosovën.
“Integrimi i Ballkanit Përendimor në familjen evropiane është kyç, pasi që stabilitetin në këtë rajon ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë. Ne nuk duam një “vrimë të zezë” në kufijtë tanë veriorë. Edhe pse qëndrimi ynë për ‘status quo’-n Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë qëndrim konstruktiv dhe përkrahim dialogun Beograd – Prishtinë”, ka thënë Dendias për Real News.
Bashkë me këtë, gazetari Giorgos Siadimas, e ka pyetur se a përbën ky akt, pra pavarësia e Kosovës nga Serbia, shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Dendias këtu ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e pavarësimit të Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare dhe se ajo nuk është bërë përmes mjeteve, të cilat konsiderohen të dhunshme, sipas ligjit ndërkombëtar.
“Sa për legjitimitetin e një njohjeje të mundshme: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, vendosi në vitin 2010 se deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, pasi që nuk ka qenë produkt i përdorimit të një force ilegale, të dënuar nga Këshilli i Sigurimit. Kjo nuk ka qenë e njëjtë me rastin e deklarimit të një pseudeshtetit në vitin 1983. Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, u formuan disa shtete të reja. Asnjëra nga to, nuk ishin prodhim i ndonjë sulmi të jashtëm”, thotë Dendias.
Në vizitën e fundit të Dendias në Kosovë, më 4 qershor, ai është shprehur se Greqia e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën, se shteti i tij po e thellon bashkëpunimin ekonomik me Kosovën dhe se Greqia përkrah integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Intervista e plotë e krydipomatit grek është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. /abcnews.al/