Siguruesit e jetës po paguajnë faturën e shtimit të vdekjeve

schedule07:28 - 5 Korrik, 2021

schedule 07:28 - 5 Korrik, 2021

Pandemia e Covid-19 ndikoi në një rritje të fortë të numrit të vdekjeve në Shqipëri.

Për vitin e kaluar, Instat raportoi rreth 6 mijë vdekje më shumë krahasuar me një vit më parë.

Besohet se rritja e numrit të vdekjeve erdhi për shkak të vetë infeksionit të Covid 19, por edhe për shkak së rënies së aksesit në shërbim shëndetësor për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera. Rritja e numrit të vdekjeve ka sjellë faturën e vet edhe për shoqëritë e sigurimit të jetës.

Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të këtij viti dëmet e paguara në sigurimin e jetës janë në rritje me 57% në vlerë dhe me 51% në numër. Produkti kryesor i tregut, sigurimi i jetës së debitorit, ka shënuar një rritje të dëmeve me 128% në vlerë dhe me 185% në numër. Raporti i thjeshtë mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto për këtë pesëmujor u rrit në 34.5%, nga 26.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Këto shifra dëshmojnë qartë se rritja e vdekshmërisë vitin e kaluar dhe në pjesën e parë të këtij viti ka goditur edhe familjet huamarrëse në sektorin bankar. Sigurimi i jetës ka mbrojtur në këtë rast bankat tregtare nga moskthimi i kredive, por edhe vetë familjet e debitorëve, duke qenë se zakonisht këto kredi kanë si objekt blerjen e banesave. Në pesë muaj, shoqëritë e sigurimit kanë paguar 117 milionë lekë ose rreth 945 mijë euro dëme në favor të 117 debitorëve të siguruar. Kjo është shuma më e lartë e dëmeve të raportuara ndonjëherë për këtë produkt në pesëmujorin e parë të vitit.

Megjithëse sigurimi vullnetar i jetës në Shqipëri është produkt që përdoret pak nga shqiptarët, tregu mbështetet sidomos në sigurimin e jetës së huamarrësve. Për kreditë afatgjata, kryesisht ato hipotekare, bankat kërkojnë si rregull edhe sigurimin e jetës së huamarrësit. Ky kusht përbën në thelb edhe themelin mbi të cilin është ndërtuar sot tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri.

Sigurimi i jetës së debitorit sjell aktualisht rreth 72% të primeve të shkruara bruto dhe 73% të numrit të përgjithshëm të kontratave në këtë treg. Pandemia e rrit edhe më shumë peshën e këtij produkti, për shkak të rënies së dukshme të biznesit në produktet e lidhura me udhëtimet e shtetasve, sidomos në sigurimin e aksidenteve dhe jetës në udhëtim. Me rritjen e këtij viti, sigurimi I jetës së debitorit ka krijuar edhe rreth 69% të vlerës totale të dëmeve, nga 47% që zinte një vit më parë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!