Slavko Vincic do të jetë gjyqtari kryesor në sfidën Belgjikë-Itali, e vlefshme për çerekfinalet e Euro 2020. Arbitri slloven ka një përvojë të gjatë, ndërsa në këtë Europian ka gjykuar ndeshjen e grupeve mes Spanjës dhe Suedisë dhe në atë mes Zvicrës dhe Turqisë.
Një vit më parë, 41-vjeçari Vinçiç u arrestua në një vilë, së bashku me nëntë femra dhe 25 meshkuj për trafikim droge, shfrytëzim të prostitucionit dhe armëmbajtjeje pa leje.
Gjatë operacionit u sekuestruan 14 pako me kokainë, tre xhupa antiplumb, pistoleta dhe 10 mijë euro. Arbitri rezultoi që nuk ishte i përfshirë në organizatën kriminale dhe u shpreh që ndodhej në momentin e gabuar në vendin e gabuar.
Slloveni ka gjykuar vetëm një herë Italinë, sfidë ku Azzurrët fituan 2-0 kundër Bullgarisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës Katar 2022, ndërsa Belgjikën nuk e ka arbitruar asnjëherë më parë. /abcnews.al