Spanja dhe Zvicra luajnë nesër në 18:00 në Shën Petersburg çerekfinalen e parë të Euro 2020. Spanjollët janë favoritë për të shkuar në katërshe, por Zvicra nuk shkon e dorëzuar. Para kësaj ndeshje foli trajneri i helvetëve, Vladimir Petkovic. Ai kërkon fitoren ndaj Spanjës.
“Duhet të kemi uri për të kaluar në raundin tjetër. Tani e tutje nuk mund të them se jam i kënaqur me çfarë kemi arritur sepse për mua hapi i radhës është gjithmonë më i rëndësishmi. Duam të kalojmë në gjysmëfinale edhe se përballemi me një nga favoritët për të fituar trofeun.
Xhaka do të na mungojë shumë, por prej mungesës së tij pres që e gjithë skuadra të japë diçka më shumë për të plotësuar boshllëqet. Duam ta mundim Spanjën, me gjithë respektin që kemi për ta. Duhet të besojmë te triumfi dhe të ngjallim emocione të reja”, u shpreh Petkovic. /abcnews.al