Nga Linda Karadaku
Më shumë se njëzet vjet pas ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësinë në vitit 2008, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten politikisht në një statukuo dhe ekonomikisht në varësi të një numër marrëveshjesh që nuk zbatohen plotësisht dhe nuk përfshijnë të gjithë spektrin e problemeve midis dy vendeve. Beogradi nuk e njeh Kosovën e pavarur, vazhdon ta ketë atë në preambulën e kushtetutës së vet dhe vazhdon të dërgojë mesazhe luftë-nxitëse me pretendime për ta rikthyer nën ombrellën e vet. Beogradi vazhdon të ushtrojë ndikimin e tij të padëshiruar në territorin e Kosovës, qoftë tek serbët e veriut, qoftë tek serbët që jetojnë në zona të izoluara në pjesën tjetër të Kosovës. Pavarësisht nga përbetimet e Beogradit dhe të liderëve të tij se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës, një lloj njohje do të kishte përfitime për Serbinë, si ndihmë të rëndësishme ndërkombëtare dhe më shumë të drejta për serbët e Kosovës në formën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zonat me shumicë serbe në Kosovës veçanërisht katër komunat veriore në kufi me Serbinë, mbeten vetëm pjesërisht të integruara në sistemin juridik dhe lijgor te Kosovës. Serbët e zgjedhur në Parlamentin e Kosovës dhe të emëruar në postet qeveritare marrin hapur urdhëra nga Beogradi.
Ardian Arifaj: “Kushdo që të jetë duke negociuar duhet të jetë shumë I kujdesshëm, që çfarëdo që të jetë rezultati të mos e cënojë Kosovën si shtet, funksionalitetin e Kosovës si shtet, të mos cënohet aftësia e Kosovës për të menaxhuar me territorin e saj, me komunat e saj, me institucionet e saj. Ju e përmendët Bosnjën, të mos kemi pra një Bosnje të dytë, të mos kemi një shtet jo-funksional. Aty është çelësi I rrezikut, por edhe I suksesit. Prandaj duhet ulur dhe duhet parë se çfarë ka në tavolinë. Statusin e Asociacionit është dashur ta përpilojë një ekip I cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb. Ata janë emëruar, ka goxha kohë, kur ka qenë Isa Mustafa kryeministër, e di që OSBE-ja ka ofruar t’iu ndihmojë, por nuk kanë pranuar ndihmë. Aty ka ngecvur procesi. Detyrë e tyre është që të përpilojnë statutin e Asociacionit, nuk e kanë bërë asnjëherë. Nuk ka përfunduar asnjëherë ai proces.”
Kosova, si një shtet-krijesë e Perëndimit është nën ombrellën ndërkombëtare dhe kufijtë e saj sigurohen nga forcat e NATO-s, përfshi veriun me shumicë serbe. Misionet e BE-së vazhdojnë të zëvendësojnë njëri-tjetrin në vend, pavarësisht kritikave për funksionimin e tyre. Pesë shtete anëtare të BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve për të paraqitur një politikë të unifikuar amerikano-evropiane në lidhje me Kosovën, në realitet nuk duket të jetë plotësisht kështu.
Ajo që i bashkon të dyja vendet në raport me BE-në është se derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare politike, gjithë-përfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, të dyja vendet do të pengohen në rrugën drejt anëtarësimit në BE ndërsa Kosova do të pengohet të bëhet anëtare e NATO-s dhe OKB-së. Dialogu midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar pjesërisht që nga viti 2006 dhe ka pasur dakordim për një numër çështjesh teknike, por çështjet politike që konvergojnë në pranimin e pavarësisë së Kosovës nuk kanë ndonjë shenjë të ndonjë marrëveshje të mundshme. Që nga viti 2011, dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së, u fokusua në çështje teknike dhe pati dhjetëra marrëveshje. Por në çështjet politike, përsëri ishte e njëjta ngecje. Në vitin 2018, u hodh në publik ideja e shkëmbimit të territoreve që do të thoshte ndryshim I kufijve aktualë të Kosovës me të cilët është shpallur pavarësia e Kosovës. Idea u hodh poshtë brenda dhe jashtë Kosovës. Dialogu i udhëhequr nga BE rinisi në korrik 2020 ndërkohë që presidenca Trump në Washington nisi një përpjekje paralele duke arritur dy marrëveshje të reja midis dy vendeve, për fluturimet ajrore dhe hekurudhat. Por ndërkohë që përfaqësuesi I Kosovës po fluturonte për në Washington për të nënshkruar marrëveshjet e tjera të përgatitura nga Shtetet e Bashkuara, iu publikua akt-akuza për krime lufte. Marrëveshjet u nënshkruan gjithsesi në Washington nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb Vuçiç. Ndërkohë që Kosova ndërronte tre qeveri brenda pak më shumë se një viti, në Beograd, Vuçiç kishte konsoliduar përfundimisht pushtetin, duke e nxjerrë opozitën jashtë sistemit. Por fitorja massive e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes së tij, nxori para Vuçiç një kundërshtar të ri, që nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe të ulej për të zgjidhur përfundimisht kontestin me Serbinë. Dialogu nuk bënte pjesë në prioritetet e tij. Por presioni ndërkombëtar, këtë herë I kombinuar evropiano-Amerikan (në Washington kishte ardhur në presidencë Joe Biden), bëri që bisedimet të rifillonin.
Pasardhësja e Hashim Thaçit, Vjosa Osmani, iu tha të dërguarve amerikanë dhe evropianë Palmer dhe Lajçak se për Kosovën, “është thelbësore që të respektohet integriteti territorial, rendi kushtetues dhe funksionaliteti i shtetit”.
“Ne presim që procesi të përfundojë me njohje të ndërsjellë duke respektuar këto parime,” u citua të thoshte Osmani në një njoftim për shtyp të lëshuar nga zyra e saj.
Ndërsa Albin Kurti bëri të qarta kërkesat e tij për dialogun.
Kurti dhe qeveria e tij kanë paralajmëruar edhe ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë për krimet e luftës, gjë që Kosova nuk mund ta bëjë vetë duke mos qenë anëtare e OKB-së. Pyetja mbetet, kush do ta bëjë një padi të tillë në emër të Kosovës dhe a do të kishte sukses duke pasur parasysh padi të tilla të ngritura nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.
Bekim Blakaj: “Kam frikë që është më shumë një nisme politike sesa ligjore, sepse besoj që institucionet e Kosovës do të duhej të analizonin shumë mirë përvojën e vendeve të tjera në rajon me këto paditë për gjenocid. Dihet që Bosnja dhe Hercegovina e ka paditur Serbinë për gjenocid, pastaj Kroacia gjithashtu e ka paditur Serbinë për gjenocid, dhe Serbia ka bërë një kundër-padi ndaj Kroacisë. Port ë trija këto padi janë refuzuar nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, pra kanë qenë të pasuksesshme. Kjo na bën të mendojmë se gjasat janë tejet të vogla që Kosova të ketë sukses në këtë padi. Në rend të parë Kosova nuk është anëtare legale e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka të drejtë ta padisë askënd para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Edhe po ta ketë këtë të drejtë, është tani 22 vite pas lufte, është jashtëzakonisht e vështirë të gjenden prova të cilat të dëshmojnë intencën apo qëllimin e Serbisë që të shkatërrojë grupin etnik shqiptar në Kosovë apo një pjesë të këtij grupi etnik. Prandaj unë jam shumë skeptic që në rend të parë do të bëhet kjo padi, dhe në rend të dytë, edhe nëse bëhet, është shumë e vështirë që të jetë e suksesshme”
Por gjithsesi, për t’iu kthyer real-politikës, thembra e Akilit ose kali i Trojës, siç e quajnë analistë në Prishtinë, është kërkesa e Serbisë që Asociacioni I komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë verdiktin e saj lidhur me këtë çështje.
Në këtë kontekst, kështu siç janë gjërat, rruga për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë duket e vështirë. Edhe në rast se liderët respektivë do të kishin guximin për të arritur një marrëveshje të tillë që do të përfundonte me njohje të ndërsjellë, me një ndryshim radikal të qëndrimit nga ana e Serbisë, duhet të kihet parasysh se kushtetuta e Serbisë kërkon që çdo marrëveshje e tillë të kalojë në referendum. Kosova nuk përballet me të njëjtën kërkesë kushtetuese, por liderët e saj mund të vendosin ta hedhin një marrëveshje të tillë në votim për të fituar legjitimitet. Çështja mbetet që secila nga palët do të duhet të informojë publikun për një marrëveshje të tillë sepse imponimi I një marrëveshje nga lart, do të mund të prodhonte kriza me rezultate të paparashikueshme.
Janë hedhur në publik disa variante për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Një infuzion i ndihmës financiare nga donatorët dhe një proces I përshpejtuar i anëtarësimit në BE për Serbinë si shpërblim për njohjen e Kosovës. Mundësia e dytë do të përfshinte një lloj autonomie për serbët e Kosovës dhe ngjashëm të njëjtën gjë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Varianti i tretë, i hedhur në tryezë që në vitin 2018, kthimi në idenë e shkëmbimit të territoreve. Varianti I parë nuk duket të ketë ndonjë mundësi reale, edhe për shkak të opinionit të brendshëm në Serbi, por edhe për shkak të vetë dinamikave të brendshme brenda Bashkimit Evropian. Autonomia për serbët është problem shumë i madh për Kosovën, sepse do të krijonte një shtet brenda shtetit, duke pasur parasysh si kanë funksionuar deri tani marrëdhëniet midis serbëve të Kosovës dhe qeverisë në Prishtinë. Liderët e Kosovës e kundërshtojnë me shqetësimin se do të çonte drejt një sistemi qeverisës jo funksional si ai i Bosnjë-Hercegovinës, ku shumica e vendimeve kërkojnë miratim unanim nga dy entitetet dhe të tre grupet kryesore etnike. Varianti I tretë ka hasur tashmë në një kundërshtim të ashpër brenda dhe jashtë Kosovës dhe brenda vetë BE-së, veçanërisht në Gjermani, ku ka shqetësime të ligjshme në lidhje me precedentin destabilizues që mund të ketë rivendosja e kufijve në Ballkan dhe më gjerë.
Statukuoja në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është po aq e rrezikshme. Askush nuk mund të thotë me siguri çfarë do të sjellë e ardhmja, veçanërisht duke pasur parasysh fuqinë ushtarake, ekonomike, por edhe politike të Serbisë. Kosova ka nevojë mbi të gjitha për anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, ushtarake dhe politike, por edhe bashkëpunim të plotë ekonomik me pjesën tjetër të botës. Mungesa e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë vazhdon ta lërë Kosovën jashtë OKB-së dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Kontesti i pazgjidhur midis Kosovës e Serbisë nga ana tjetër, vazhdon të mbetet kërcënim për sigurinë rajonale dhe zgjidhja e tij do të ndikonte shumë në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin perëndimor.