“Jemi të sëmurë, tani po na vdesin”! Albpetrol ndot Zharrzën, banorët: Hyri shejtani

schedule18:17 - 30 Qershor, 2021

schedule 18:17 - 30 Qershor, 2021

Nga Valbona Davidhi

Albpetrol vazhdon të ndotë Zharrzën. Kompania derdh në mënyrë të përsëritur në përroin e Zharrzës depozitat e dekantimit të naftës.

Prej 2 ditësh ndotja ka rinisur. Situata për banorët është bërë e padurueshme. Tokat e tyre, uji, por dhe ajri ndoten nga derdhjet e naftës dhe shëndeti i tyre është i rrezikuar.

Banorët e Zharrzës thonë se janë ankuar disa herë, por bashkia e Fierit nuk ka reaguar. Ndotja nuk mbetet vetëm në Zharrëz. Përroi çon mbetjet e naftës së kompanisë Albpetrol në Fier e më pas përmes Semanit në det.

Edhe lumi Gjanica në qytetin e Fierit serish është ndotur. Aroma e rëndë mbytëse po shqetëson prej kohësh banorët. “Ne jemi të sëmurë, por këta po na vdesin fare” tha një i moshuar.

Inspektorët  e mjedisit, që punojnë brenda zyrave të tyre, nuk arrijnë të gjejnë shkaktarët e ndotjes së lumit.

Por për qytetarët gjurma e këtij krimi mjedisor tregon qartë autorin e saj. “Këta e kanë të gjetur atë, por shejtani kur hyn në familje nuk e nxjerr dot” tha një tjetër i moshuar.

Gjatë vitit 2020 e në vazhdim Inspektoriati i Mjedisit në Fier nuk ka kryer asnjë kontroll, megjithëse derdhjet e hidrokarbureve në Gjanicë janë të dukshme edhe me sy të lirë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!