Prokuroria e Posaçme e njohur si SPAK, ditën e sotme ka vënë në pranga drejtuesin e prokurorisë së Kukësit Edmond Karriqi me akuzën e korrupsionit. Me urdhër të prokurorisë në pranga është vënë edhe shoferi i tij Isuf Gega që dyshohet se ka bashkëpunuar me Karriqin në rolin e sekserit, që në këmbim të parave ka ndryshuar masën e sigurisë për një të arrestuar, raporton gazetari i “ABC”, Ermal Vija.
Në pranga janë vënë edhe dy persona të tjerë, për të cilët prokuroria nuk ka dhënë më shumë detaje ndërsa ka bërë publike vetëm inicialet, dhe bëhet fjalë për shtetasit D.D dhe E.B. Arrestimi i prokurorit është bërë në qendër të Kavajës, atje ku ai ka edhe banesën. Efektivët e policisë janë duke kryer kontrolle në banesë për të siguruar prova për hetimin.
Burime nga prokuroria e posaçme bëjnë me dije se, Karriqi në këmbim të 2 mijë eurove ka ndryshuar masën e sigurisë për një person që e ka pasur nën hetim për ta liruar nga qelia me masë më të butë. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat prokuroria, bën me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe dyshohet se ka persona të tjerë të përfshirë.
Edmond Karriqi është bërë i njohur për publikun pasi ka qenë edhe prokurori që ka hetuar këngëtaren Fjolla Morina për akuzën e trafikut të armëve. Ajo u arrestua në pikën e kalimit kufitar në Morinë, pasi iu gjet në çantë një pistoletë./ db/Abcnews.al