Belgjikë-Itali është një finale e parakohshme në Euro 2020. Dy kombëtaret do të përballen me njëra tjetrën mbrëmjen e së premtes në “Allianz Arena” të Mynihut (2 korrik, 21:00).
Një sfidë e fortë edhe në stol, aty ku dy Robertot do të sfidojnë njëri tjetrin: Roberto Mancini dhe Roberto Martinez. Trajneri italian ia ka dalë të fitojë 7 herë ndaj kolegut spanjoll.
Kjo ka ndodhur kur timonieri i kombëtares azzurre drejtonte Manchester City. Vetëm një herë ka triumfuar Martinez, por që mjaftoi që “Cityzens” të shkarkonte Mancinin.
Ishte maji i vitit 2013 dhe Wigan, që drejtohej nga trajneri aktual i Belgjikës, fitonte 1-0 ndaj Manchester City në finalen e FA Cup. Një rezultat surprizë që i kushtoi Mancinit stolin e City.
Të premten do të jetë dueli i radhës, ai më i rëndësishmi. Sigurisht që askush nuk do të shkarkohet nëse dështon, teksa synimi i përbashkët është kualifikimi në gjysmëfinalet e Euro 2020. /abcnews.al