Masakra mbrëmë në Velipojë ka tronditur veriun e vendit dhe jo vetëm, pasi nga shkëmbimi i zjarrit pas sherrit për shezlongët u vranë 4 persona, mes tyre edhe një jetim i pafajshëm. Famullitari i Shkodrës dom Vlash Palaj kishte disa mesazhe për shoqërinë dhe politikën që të reflektojnë pas masakrës.
LEXO EDHE: I vranë djemtë për shezlongët, Pjetër Gocaj: Të parin qëlluan të madhin, çfarë më duhet jeta më?
“Nuk është normale kjo situatë, çdo kush të reflektojë. Prandaj dikush t’i thërrasë mendjes se papërgjegjshmëria e atyre të cilët janë autoritete për administrimin e këtyre të mirave të cilat i ka fal Zoti, papërgjegjshmëria vret.
Por edhe mungesa e shpirtit, mungesa e vlerës së jetës që jetojnë vetëm për t’u pasuruar edhe ajo vret sepse ai mëkat, sepse ajo vrasje që ka ndodhur e ka një zanafillë të saj. Nëse ti abuzon vazhdimisht me të keqen ta dish se një ditë e keqja, e keqja do të bëjë shumë keq” tha ai ndër të tjera.
“ABC” siguroi fotot e 4 viktimave, biznesmenit Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërve Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimit fatkeq Musaen Zenelit 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend.
LEXO EDHE: Plumbi në zemër i preu ëndrrën, dita e parë dhe e fundit në kuzhinë e jetimit
Nga përplasja me armë u plagosën edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra dhe nipi i tij Elmedin Tyli.
Dy të plagosurit u arrestuan për ngjarjen, ndërsa në kërkim janë shpallur tre vëllezër; Abedin, Shyqyri dhe Besar Verracaku, banues në fshatin Pulaj, të dyshuar si bashkautorë në krim.
Shkak i sherrit që solli masakrën ishte konflikti mes Ferracakut dhe Gocajt për hapësirën e rërës përpara hoteleve për vendosjen e shezlongeve./ db/ Abcnews.al