Në xhep iu gjetën qindarkat e ditës së parë të punës, familja e jetimit nuk përballon dot shpenzimet mortore

schedule16:41 - 27 Qershor, 2021

schedule 16:41 - 27 Qershor, 2021

E kishte ditën e parë të punës, por rezultoi e fundit e jetës së tij.  20 vjecari Musaen Zeneli ishte viktima e pafajshme e masakrës në Velipojë. Prej muajsh edhe pse i sëmurë mundohej të mbante familjen.

Jetonte vetëm me nënën, për të cilën duhej të kujdesej përditë. Ai e kishte humbur të atin para disa vitesh. Enver Zeneli u mbyt në lumin Drin, teksa ishte futur për t’u larë.

Djali nga “Bahçallaku” punonte në zonën e plazhit, në biznese të ndryshme. Së fundi kishte folur me vëllezërit Gocaj për t’i gjetur punë. E shtuna ishte dita e parë e tij. Punën e mbylli pak pas mesnate, pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi. Policia thotë se kishte marrë një plumb në zemër.

Lexo edhe: Kishte ditën e parë të punës si kamarier, 20-vjeçari që humbi jetën pas sherrit në Velipojë ishte jetim

Në xhep iu gjetën disa qindarka, bakshishi i pushuesve që morën çadra e shezlongë. Musaeni la pas nënën dhe vëllanë e madh, Erdisin. Familja e Zenelit, ndodhet në kushte të vështira ekonomike, ndërsa nuk përballojnë dot financiarisht shpenzimet mortore.

Mbrëmjen e djeshme Velipoja u trondit, pasi pas një përplasje me armë mes pronarëve të hotel “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, ku mbetën të vrarë 4 persona, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

Viktimat janë Kujtim Ferracaku 59 vjeç, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç dhe Musaen Zeneli 20 vjeç, ndërsa të plagosurit Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli./ d.b/Abcnews.al