Studiuesit që morrën fjalën në takimin e organizuar në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, në Shkodër, theksuan faktin se diaspora shqiptare luajti një rol të veçantë në zhvillimin e mendimit shqiptar, sidomos gjatë periudhës së komunizmit, kur në Shqipëri ndalohej shprehja e lire dhe kur, një numër autorësh të njohur të letërsisë dhe studimeve shqiptare, ishin të ndaluar.
Profesor Romeo Gurakuqi u shpreh mbi ekzistencën e dy qendrave të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare, në Amerikë dhe Itali, të cilat mbajtën gjallë dhe të pacënuar kulturën kombëtare.
“Diaspora e ndritur krijoi qendra kulture, mbijetese, të qenies shqiptare. Pikërisht, me dy qendra të tilla të rrethit politko-kulturor që Ernest Koliqi ndërtoi në Romë rreth “Shejzave” dhe, së bashku me të, një numër patriotësh të tjerë rreth bllokut kombëtar Indipendent, rreth Komitetit “Shqipëria e Lirë”, në New York, të Vatrës ose “Buletinit katolik shqiptar”, drejtuar nga Gjon Sinishta në San Francisco”.
Hulumtuesi i arkivave, Anton Kodrari, ekspozoi gjatë takimit pjesë nga letërkëmbimi i disa prej përsonaliteteve të botës shqiptare në mërgim. Ai tha se mbeten ende të pazbuluara dhe te pastudiuera arkivat e mërgatës shqiptare si dhe epistolari i përsonaliteteve shqiptare në ekzil. Ato, shtoi ai, janë pjesë dhe dëshmi e rëndësishme e kuturës kombëtare.
“Arkivat e pazbuluara të mërgatës janë arkivat e profesor Ernest Koliqit, arkiva e profesor Zef Lekajt, eroditit mirditor, arkivi i profesor Mhill Markut, arkivi i familjes së Gjomarkajve, arkivi i Gaspër Kiçit dhe disa pjesë të arkivit të Martin Camajt, etj, etj. Unë jam mundu me u fokusu më shumë tek dorëshkrimet edhe letërkëmbimet”.
Pjesë e rëndësishme e takimit mbi rolin e disaporës në kulturën kombëtare ishte edhe riborimi i librit “Pionieri i kuq”, iprofesorit shqiptaro-amerikan, Mhill Marku, i cili, megjithëse në mërgim, arriti të përcjellë një pamje të regjimit komunist të kohës.
Shqiptaro-amerikani Mhill Marku lindi në Lotaj të Dukagjinit në vitin 1919 dhe vdiq në Amerikë në vitin 1966.Ai botoi një numër të madh shkrimesh mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në gazeta e revista të huaja.Për disa vite ai ishte drejtor i gjuhës shqipe në Institutin e gjuhëve të Ushtrisë Amerikane./VOA