Sot në Presidencë u zhvillua një takim mes Kreut të Shtetit Ilir Meta dhe Kreut të Parlamentit Gramoz Ruçi. Zyrtarisht Presidenca sqaroi se në takimin e kërkuar nga kryeparlamentari u diskutua për datën e zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjen e kreut të KLSH-së.
Pasi deputetët e shumicës mbyllën mbledhjen e grupit parlamentar të vendosur për ti dalë për zot mungesës së ministrit të brendshëm në kabinetin qeveritar, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u nis drejt Presidencës.
U duk se takimi u bë për debatin mbi postin e ministrit të brendshëm. Qetësia që kakarketizon dy fgurat publike mund të sillnin një zhvillim të ri situatës politike të tensionuar midis ekzekutivit dhe presidencës. Ndoshta ka qenë edhe kjo temë e diskutimit të presidentit Meta dhe kryeparlamentarit Ruci, por informacioni që iu dha publikut kishte të bënte me tjetër gjë.
“Presidenti i Republikës Ilir Meta, me kërkesën e tij, zhvilloi një takim me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Presidenti Meta e njohu Kryetarin Ruçi me konsultimet e zhvilluara prej tij për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale”.
Në njoftimin e presidencës sqarohet gjithashtu se Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit Ruçi zhvillimin e procedurave transparente për të ftuar kandidatët, të cilët kanë paraqitur interesin për Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe me integritet për këtë pozicion të rëndësishëm.
Në kohën kur kryetari kuvendit po linte presidencën, kreu i shtetit bën publike datën e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Pas konsuktimeve me grupet parlamentare presidenti Ilir Meta dekreton datën 30 qershor të vitit 2019 si ditën kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit.