Në datë 17 Qershor, Besian Xhixha dhe Enver Diva u arrestuan si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të 2020. Xhixha nga fshati Larushk i Krujës dhe Diva nga Fushë-Mamurrasi para vrasjes së dyfishtë janë takuar me Nuredin Dumani që dyshohet se është porositësi i ekzekutimit.
Më pas Xhixha do ndiqte lëvizjet e vëllezërve dhe 42 vjecari Diva do kryente atentatin. Plani dështoi pasi Enver Diva u prek nga covid. Për këtë arsye, Nuredin Dumani e mori vetë situatën në dorë. Dy ditë pas arrestimit gjykata vendosi masën e arrestit me burg për dy bashkëpunëtorët. Gazetari i ABC, Ermal Vija ka zbardhur detaje nga përgjimi që solli arrestimin e tyre.
Në dosje theksohet se të hetuarit deklaruan në seancë se pretendimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë nuk qëndrojnë, por prokuroria thotë se dëshmia e të penduarit është në unison me hetimet që janë kryer dhe provojnë akuzat kundër dy të arrestuarve.
Gjithashtu prokuroria thotë se “pamjet filmike, konfirmojnë deklarimet e Klevis Allës, se në këtë kohë ai ka komunikuar me Nuredin Dumanin, i cili është përgjigjur se “ishin gati” duke nënkuptuar se grupi ishte mbledhur në shtëpinë e Nuredin Dumanit” citohet në dosje.
Për këtë arsye, prokuroria ka dalë në konkluzionin se “Nuredin Dumani, Talo Çela, Altin Ndoci dhe Klevis Alla, që është bashkëpunëtori i drejtësisë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kryer dy episode vrasje ku në secilin episod ka pasur dy viktima, konkretisht në 2 mars 2020 ku u ekzekutuan Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avida dhe në 27 prill 2020 ku janë vrarë vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia” thuhet në dosje.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për dy të arrestuarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrim”. Më herët për atentatin është arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla, i cili u pendua dhe po zbërthen disa nga vrasjet më të bujshme. Nuredin Dumani është në kërkim.
Prokuroria ka dyshime se konflikti ka nisur për sasisë e parave të grabitura në pistën e Rinasit, në 9 prill të 2019 ku mbeti i vrarë dhe Admir Murataj. Hetuesit kanë prova të forta se paratë e vjedhura në Rinas, i mbanin të fshehura vëllezërit Haxhiaj. Anëtarët e grupit kanë hyrë në konflikt për shkak se nuk gjendej një pjesë e parave të grabitura. d.b/Abcnews.al