Presidenti i FIFA-s, Infantino, ndodhet përpara një skandali të madh. Ai akuzohet se ndihmoi Manchester City-n dhe Paris Saint Germain që t’i shpëtonin dënimit për shkelje të rregullave financiare të UEFA-s.
Skandalet dhe shkeljet e ligjeve nuk janë ekskluzivitet shqiptar. U kuptua me Zep Blaterin, por ja që edhe presidenti pasardhës i FIFA-s nuk ndodhet në pozitë më të mirë. Xhani Infantino akuzohet se ka shkelur ligjet e vetë institucioneve të futbollit dhe kjo kur ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s.
Revista gjermane “Der Shpigel” boton dokumente sipas të cilave, Infantino ndihmoi klube miliarderë si Manchester City e Paris SG që t’i shmangeshin dënimeve të rënda për shkelje të rregullave të Lojës së Ndershme Financiare. Hajdutët e informatikës, hakerat, kanë vjedhur dokumente sekrete nga UEFA, që tregojnë se presidenti i sotëm i FIFA-s pranoi të fshihte “mëkatet” e City-t e PSG-së, duke i ndihmuar që të dënoheshin lehtë.
Në sezonet 2011-12 dhe 2012-13, dy klubet patën humbje të përbashkëta prej gati 200 milionë eurosh, shumë më tepër se kufiri i lejuar. Infantino bëri bisedime me drejtuesit e tyre, Al Helaifin e Paris SG dhe Haldun Al Mubarakun e Sitit, pas kurrizit të inspektorëve të pavarur, duke bërë të mundur që ata të mos përjashtoheshin nga Championsi. Gjithçka përfundoi me një gjobë, edhe pse të lartë, prej dhjetëra milionë eurosh.
Titujt e “Der Shpigelit” ishin shumë domethënës”.
“Si paratë e naftës shtrembërojnë futbollin”!
Përshëndetje kapo! Shërbeju dhe sundo! Si presidenti i FIFA-s dështoi në pastrimin e futbollit!
Infantino iu përgjigj akuzave, duke thënë se ato vijnë nga kundërshtarë të tij që kanë humbur pushtetin.
“Gjithnjë është e vështirë të ndryshosh gjërat, – u shpreh ai, – FIFA po bën reforma të rëndësishme dhe e prisja që të hasja në rezistencën e atyre që nuk do të mund të përfitojnë më nga sistemi ku kanë bërë pjesë”.
Presidenti i FIFA-s nuk tregoi se cilët ishin kundërshtarët e tij, ndërsa nuk ka mundur të hedhë poshtë akuzat e bëra ndaj tij. Pritet që skandali të zgjerohet dhe nuk dihet fati i City-t dhe PSG-së, pra nëse ata do të dënohen, apo nëse do të jenë të detyruar të shesin disa nga yjet më të rëndësishëm për të rregulluar bilancet./abcnews.al