Pedagogu për Gjeopolitikën e Europës, Ilir Aliaj i ftuar në “Radari Informativ” në “ABC” u shpreh se, vendimi për mosçeljen e negociatave nuk mund t’i adresohet Bashkimit Europian, duke shtuar se nuk mund të jenë thjesht justifikime të radhës, pasi sipas tij, BE ka projekte afatgjate.
“Do të ishte naivitet nëse do të shpreheshim se këto janë pretekste nga BE. BE ka projekte afatgjata. Çështja e mosvendosjes së një date për tavolinën e parë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë besoj se ka të bëjë me ndodhitë që pritet t’i shohim në muajt në vijim”, tha Aliaj.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, pedagogu u shpreh se raporti i Asamblesë së Këshillit të Europës për zgjedhjet e 25 prillit është një nga faktorët negativ për këtë vendimmarrje.
“Vende si Shqipëria dhe RMV nuk kanë problem për BE për çështjet e integrimit janë çështje të tjera që ne duhet t’i shohim tek vetvetja jonë. Pra nuk duhet ta shohim problemin tek ata, por duhet ngritur pyetja se a jemi gati ne? Kemi 30 vite që politika në Shqipëri nuk e ka dashur integrimin Europian, e njëjta besoj është edhe për RMV”, tha Aliaj.
Gjithashtu ai u ndal tek konferenca e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, për të cilën theksoi se tashmë nuk mund të thuhet që “topi” është në anën e Bashkimit Europian sepse të dy vendet kanë ende shumë punë për të bërë.
“Unë besoj që zhvillimet që do të kemi në muajt në vazhdim do të jenë shumë interesante. Zhvillimet e ardhshme politike në Shqipëri do të jenë shumë pozitive për qytetarët shqiptarë. Sot ka ardhur momenti që nuk mund të jemi peng i së kaluarës.
Duhet të kemi parasysh që SHBA dhe BE janë përballë disa sfidave të rëndësishme, dhe duhet të jemi të qartë që ndërhyrja e palëve të treta në një nga vendet si Shqipëria dhe RMV është një nga pikat e rëndësishme dhe nuk besoj se këtë çështje do ta lënë në duart e Bullgarisë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të arrihet që të vendoset një datë në muajit tetor, Aliaj tha se beson që vendet e Bashkimit Europian do të vendosin një datë për Konferencën e Parë Ndërkombëtare brenda këtij viti.
“Besoj që Shqipëria dhe RMV janë pjesë e perëndimit dhe bazuar tek deklarata e Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhlery duhet të qëndrojmë optimist. Besoj që data do të jetë brenda këtij viti”, tha ai./abcnews.al/