Dosja sekrete: Kondo dhe Sukniqi do qëndrojnë në Jugosllavi, pasi do dëshmojnë

schedule08:32 - 22 Qershor, 2021

schedule 08:32 - 22 Qershor, 2021

Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

foto galeri

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare.

foto galeri

Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

foto galeri

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

 

foto galeri

 

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

foto galeri

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

foto galeri

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.

foto galeri

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

foto galeri
Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.

foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Relacionet e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me informatat e marra për qëndrimin e Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit në Jugosllavi dhe mundësinë e dërgimit të tyre në SHBA-ve

SEKRET

Ekzemplar Nr.37

Tiranë më 13.11.1985

Marrë nga P.op. E.G.

Dhënë “6722” datë 7.10.1985

I N F O R M A T Ë

foto galeri

Sipas të arratisurit……………., me banim në Ulqin, në hetuesinë që ju është bërë dy sportistëve të arratisur Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, organet e UDB-së kanë aktivizuar kushëririn e…………………, i cili lëviz lirisht duke vajtur herë pas here tek Marku.

Puntori Operativ

E.M.

SEKRET

Ekzemplar Nr.2

Tiranë më 26.7.1985

Shoku B. nga New York me telin. nr.952 datë 19.7.1985 njofton:……………………, ka thënë se është duke bërë një përpjekje për të sjellë në SHBA, Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin, të cilët vazhdojnë që të jenë në Jugosllavi. Për këtë çështje ai ka biseduar disa herë me organet përkatëse në Jugosllavi dhe i është premtuar se do t’i lejojnë të dy së shpejti që të emigrojnë në SHBA.

Sa sipër dhënë nga burimi “6432”. Problemin e kanë me ndjekje.

U shtyp në katër kopje.

Teli është parë nga shokët H.I., N.Z., R.L., M.D., pa shënime.

Oficeri i Drejtimit

D.M.

Korespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me rezidenturën e Sigurimit të Shtetit në Beograd, për mundësitë e takimit me Aleksandër Kondon dhe përmbajtja e letrave që ai dërgonte në Shqipëri

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 9.1.1986

Beogradi me tel. nr.1 datë 3.1.1986. njofton sh. S.R.

Nëse jeni dakord, mund t’i kërkojmë Zyrës së Refugjatëve të OKB-së këtu, verbalisht ose me notë, që të organizojë takim të shokut të konsullores me të arratisurin Aleksandër Kondo, në emër të familjes e të fejuarës, “për ta pyetur nëse do të kthehet”. Për këtë, ata duhet të na japin një përgjigje më të plotë. Ndoshta mund të përdorim edhe ndonjë shkak tjetër, nëse mendoni. Shefi i Zyrës, më la të hapur të drejtën e interesimit kur isha herën e parë.

Teli është parë nga sh. Ministër e sh. S.R., sh. Ministër shënon: Të gjenden rrugë të tjera për t’u verifikuar.

U nxorr në një kopje për dosjen e A. Kondos

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 13.1.1986

Qendra me tel. nr.21 datë 9.1.1986, udhëzon rez. e Beogradit:

Lidhur me sa propozoni në tuajin nr.1, nuk jemi dakord. Për këtë, përpiquni të gjeni rrugë e mënyra të tjera duke shfrytëzuar mundësitë që keni.

U nxor në një kopje për dosjen e A. Kondos

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 3.2.1986

Beogradi me tel. nr.39 datë 30.1.1986 njofton sh. S.R.,

“1740” i tha G.: Aleksandër Kondo, është dënuar edhe me një muaj tjetër, sepse është grindur në burg. Këtë ja kishte thënë………………, i cili e kishte vizituar Aleksandrin.

Teli është parë nga sh. Ministër dhe sh. S.R. dhe nuk ka shënime.

U nxor në një kopje për dosjen e A. Kondos

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Relacionet e Puntorit Operativ me njoftimet për mbërritjen në SHBA-ve të Aleksandër Kondos e Xhelal Sukniqit

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 13.2.1986

New York me telin Nr.95 datë 10.2.1986 njofton sh. S.R.:

Aleksandër Kondo, mbërriti këtu, në datën 5 shkurt. Është stabilizuar, në një qytet tjetër së bashku me shokun e tij, i cili erdhi tre ditë para tij. E dhëna është e sigurtë. Problemin e kemi në ndjekje.

Shënim: U shtyp në dy kopje për A. Kondon dhe për “3869”

Puntori Operativ

P.K.

SEKRET

Ekzemplar Nr. 1

Tiranë më 27.2.1986

Beogradi me tel. nr.66 datë 25.2.1986, T. Urgjent. njofton sh. S.R.:

“1740” njofton: Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi kanë ikur në SHBA. Për dijeni.

Teli është parë nga sh. Ministër dhe sh. S.R. dhe nuk ka shënime.

U nxor në dy kopje për A. Kondon dhe Xh. Sukniqin

OFICERI I DREJTIMIT

F.H.

Relacionet e Puntorit Operativ lidhur me vonesën e vajtjes së Kondos e Sukniqit në SHBA-ve, për shkak të gjyqit ku ata të dy do dëshmojnë për dy njerzit e dërguar nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar

SEKRET

Ekzemplar Nr.2

Tiranë më 15.3.1986

Marrë P.op. B.S.

Dhënë burimi “6120”

Datë 14.1.1986

I N F O R M A T Ë

Duke biseduar me……………….., në lidhje me të arratisurit Aleksandër Kondo e Xhelal Sukniqi, N.K. kishte thënë se sipas bisedave që kishte pasur, një muaj më parë, në Zyrën e Refugjatëve Politikë në Beograd, ata duhej të vinin në SHBA, në fund të muajit dhjetor 1985. Por, kishte vazhduar………………………, ata janë mbajtur nga organet jugosllave, për çështjen e një gjyqi që do të zhvillohet në drejtim të dy shqiptarëve nga…………………………, që qenkan dërguar nga Sigurimi Shqiptar, me detyra në drejtim të Aleksandrit dhe Xhelalit. Këta do dalin si dëshmitarë në gjyq. Kohët e fundit, theksoi më tej……………………………….., kam marrë vesh se Aleksandrit dhe Xhelalit, u ka dalë një problem me organet jugosllave, pasi thuhet se Aleksandri ka goditur një polic dhe e kanë futur në burg. Dhe nëse është e vërtetë një gjë e tillë, ardhja e tyre do të vonohet akoma.

Puntori Operativ

D.M.

Marrë P.Op.B.S. Sekret

Dhënë burimi “6131” Ekzemplar Nr.

Datë 23.12.1985 Tiranë, me 17.3.1986

I n f o r m a t ë

Të arratisurit Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, nuk kanë ardhur akoma me banim në SHBA……………………., ka thënë se megjithëse atyre u është dhënë e drejta, për të dalë në Perëndim dhe janë pajisur me dokumenta përkatëse për udhëtim, ata vazhdon të mbahen nga organet jugosllave, për një gjyq që ata pritet të bëjnë së shpejti, në drejtim të dy të dërguarve nga Shqipëria, siç i ka cilësuar…………………………, mbi bazën e informative që ka marrë nga jugosllavët, në drejtim të së cilave, Aleksandri dhe Xhelali do të dalin si dëshmitarë……………………………, ka theksuar se me mbarimin e gjyqit, të dy të sipërmit do të vinë këtu (SHBA) menjëherë.

Punëtori Operativ

D.M.

Relacion i rezidenturës së Sigurimit të Shtetit në Beograd, lidhur me dëshmitë e dibranit të arratisur në vitin 1984, për Kondon dhe Sukniqin

SEKRET

Eks. Nr.

Tiranë, më 5.3.1986

Lazja me tel. nr. 152, datë 28.2.1986 njofton shokun e S.R.:

Erdhi në përfaqësi i arratisuri……………………., nga Dibra. U interesua për praktikën e riatdhesimit. Tha se ishte arratisur në shtator 1984, për shkak se kishte goditur një grua. U paraqit i penduar për kthim dhe se ndaj vendit tonë nuk kishte mbajtur qëndrim kundërshtar.

Njihte të arratisurit………………………, Aleksandër Kondo,………………………..etj. Tre të parët kanë emigruar në SHBA, ndërsa të tjerët ndodhen në Kapua.

Theksoi se……………………….., ishte pjestar i grupit që vunë bombën në shtëpinë e shefit të Policisë në Shkodër, tha se është tip aventurier e flet keq për vendin tonë. Qëndrim të keq mban edhe……………….. Doli se një i arratisur nga Shkodra, ka kontaktuar të arratisurit nga Shqipëria, në Jugosllavi. Ai frekuenton kampet në Kapua dhe Latina (me sa duket është T.K.). Në përgjithësi na u duk se kish mall për vendlindjen dhe familjen.

Tregohej i gatshëm të fliste, por mbante rezerva dhe kishte momente disekulibri. Donte të dinte, në se dënohej. Formularët nuk i mori. E lamë të bisedonim mbas dite sot, por nuk erdhi. Rezultoi që para orarit, kish bërë lëvizje para ambasadës.

Nuk përjashtohet që në këtë situatë të jetë nxitur nga organet e vendit, me që refuzuam riatdhesimin e……………………………, por na tha se ishte në dijeni të amnistisë dhe faljeve të…………………………

Hollësitë me postë.

Nxjerrë në 6 kopje për personat e më sipërm

P.Op. M.N.

Vlerësimi:

Nga përmbajtja e letrave duket sikur i arratisuri, është i penduar për aktin e kryer, por në të vërtetë ai, qëndron në pozita armiqësore dhe këtë e vërtetojnë shprehjet e tij – “Mos u mërzisni”, “do t’i marrësh vesh të gjitha kur të vij unë aty së shpejti”. Pamjet figurative të kartolinave, si dhe të fotografive të tij në anën tjetër, bëjnë propagandë për SHBA-në dhe për gjendjen e tij, “aktualisht të mirë”, megjithë periudhën e shkurtër të vajtjes atje. Shprehja “kur të vij unë aty së shpejti”, të lë të dyshosh se i arratisuri, mund të jetë inkuadruar në banda diversioniste, që mund të përgatiten për futjen në vendin tonë, në një periudhë të shpejtë, me synime të caktuara armiqësore, veç kësaj letre ka dhe nëntekst që “situata në Shqipëri, do të ndryshojë së shpejti, prandaj nuk duhet të arratiseni”.

Letrat duket se janë shkruar në një kohë, por dërguesi ka vënë data të ndryshme – ndërsa në të parën ka 10.6.1985, në letrën e dytë 7.2.1986. Po kështu fotografia, mban datën 5.6.1985.

Masat operative:

Mendoj që letrat dhe kartolinat të ndalen, dhe t’i dërgohen Drejtorisë së III. Të shikohen nga Dega e I-rë e Drejtorisë së I-rë dhe Drejtoria e Tiranës, këto lidhje me të arratisurit. Një kopje e informacionit të vendoset në dosjen e drejtimit.

Shënim:

Me datën 10.3.1986, i arratisuri Aleksandër Kondo, dërgon një kartolinë me pamjen e monumentit të “lirisë” në SHBA, të cilën e ndalëm dhe është informuar udhëheqja e ministrisë, ku është dhënë porosi nga shoku Ministër, që lidhjet e këtij të arratisuri, të verifikohen shpejt e me kujdes. Një kopje e informacionit Nr.79 datë 10.3.1986, i është dërguar Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë.
Drejtoria e Punëve të Brendshme në Tiranë, të verifikojë sa më shpejt, personat që kanë lidhje me Aleksandër Kondon. Çfarë përfaqësojnë ata dhe në drejtim të tyre të merren masa operative, pasi ka mundësi që në rrugë të tjera të komunikohet dhe ai, të bëhet shkak dhe për arratisje të tjera, sidomos nga këto lidhje.
Në varësi se çfarë do të dalë nga verifikimi, t’i dërgohen emrat dhe adresat e plota, Degës së V për t’u vendosur në Kontrollin Postar.
Një kopje e informacionit, t’i dërgohet dhe DPB Shkodër, për të arratisurin Xhelal Sukniqi, si dhe të fotografohet, fotografia që ka dalë me Aleksandër Kondon.
ZËVËNDËSKRYETARI I DEGËS V

N.V.

Relacioni i Oficerit të Drejtimit për telegramin urgjent të ardhur nga Misioni shqiptar në New York, për telefonatën e Aleksandër Kondos, për t’u takuar me ta!

SEKRET

Ekzemplar nr

Tiranë më 25.3.1986

Shoku B.S. me telin “Tepër urgjent” nga New York me nr.285 datë 21.3.1986, njofton:

Sot në mëngjes, mori në seli Aleksandër Kondo. Me të bisedoi……, ai kërkon të takohet me………………………..Ka thënë se ka ardhur këtu dhe don të bisedojë, pasi është penduar për aktin që kreu. Mendon se për këtë duhet ta ketë nxitur…………………………., tek i cili Aleksandri ka qëndruar gati dy javë.

Presin si të veprojnë.

Teli është parë nga shokët H.I., S.R., dhe R.L., pa shënime.

Oficeri i Drejtimit

D.M.

Relacioni i ardhur nga New York me informatat për qëndrimin e Kondos e Sukniqit në Jugosllavi dhe hetimet që u janë bërë atyre nga organet e UDB-së

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 2.4.1986

New York me tel. nr.334 datë 23.3.1986 urgjent njofton shokun S.R.:

Gjatë kohës së qëndrimit në Jugosllavi, A. Kondo dhe Xh. Sukniqi, janë marrë në hetuesi dhe janë trajtuar direkt nga organet federative të UDB-së. Për gjithçka çka kanë deponuar, u janë marrë të inçizuara dhe me shkrim, të cilët kanë vënë edhe firmat. Të dy kanë nënshkruar deklaratë bashkëpunimi.

Në kohën që janë nisur për këtu, janë porositur që të paraqiten në konsullatën jugosllave, këtu ku jemi ne. Në prezencë të 7 personave, Aleksandri, ka thënë se ai vetë ka qenë në konsullatën jugosllave, dy herë dhe në të dyja rastet ka marrë dhe të holla.

Veç sa më sipër, Aleksandri është inçizuar nga………………………., ndërsa Xhelali dhe disa të tjerë nuk kanë pranuar. Ai i ka thënë R. se zërin me thëniet e tij, le t’i përdorë ku të dojë. Aleksandri, është ndarë nga Xhelali dhe banon vetëm në hotel. Është shumë agresiv……………………. tha se atij, duhet t’i jenë ngarkuar detyra konkrete nga UDB.

Teli është parë nga sh. Ministër dhe sh. S.R.

Shoku S.R. shënon: Drejtorisë së I-rë

U nxorr në dy kopje për dosjet e A. Kondos dhe Xh. Sukniqit. /Memorie.al