Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB-së në 14 Nëntor do të diskutohet për situatën në veri të Mitrovicës. Futja e Kosovës në axhendën e diskutimeve të OKB-së, sipas Beogradit zyrtar, është bërë e mundur nga Kina që ka presidencën e radhës këtë muaj.
Çështja e Kosovës është përfshirë sërish më axhendën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Në mbledhjen e radhës, të caktuar për në 14 Nëntor do të diskutohet rreth situatës në veri të Mitrovicës. Lajmi është konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
Ky i fundit shpjegoi se disa vende vazhdojnë të kërkojnë që Kosova të jetë jashtë axhendës së Këshillit të Sigurisë së OKB-së, pa e nxjerrë në votim këtë çështje, por duke ia lënë vendimin në dorë presidencës së radhës. Këtë muaj presidenca e Këshillit të Sigurisë është e Kinës.
Daçiç falenderoi Kinën për mbështetjen që sipas tij i jep Serbisë në lidhje me Kosovën. Agjencia tjetër serbe e lajmeve, Beta, konfirmoi se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres ka përgatitur një raport të ri për misionin e UNMIK në Kosovë.
Një nga çështjet që Guterres trajton në raportin e tij është dhe shqetësimi për faktin se dhe pse kanë kaluar muaj nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, në veri të Kosovës, ende nuk ka asnjë fajtor para drejtësisë./abcnews.al