Kolegji Universitar Bedër, më 26 Qershor, organizon për herë të parë Code Camp Albania 2021.
Ky është aktiviteti më i madh në vend në fushën e softuerit.
Pjesëmarrës në këtë event sipas zëvëndësdekanit të Fakultetit të Teknologjisë së Biznesit, Arti Omeri, janë maturantë, studentë, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive në fushën e zhvillimit të softuereve nga vende të ndryshme të botës.
“Kemi një pjesëmarrje të madhe. Deri tani janë regjistruar 20 speaker dhe keynote speaker. Gjithashtu janë regjistruar rreth 260 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rajoni. Në të mund të marrin pjesë maturantë, studentë, profesionistë të ndryshëm, lektorë, etj. Do të marrin pjesë kompani të famshme si LinkedIn; Oracle; Microsoft; Facebook”, shprehet ai.
Një prej organizatorëve, inxhinieri i softuereve Ferit Akaibiçen tregon se Code Camp Albania 2021 është një program që promovon të mësuarit e aftësive të reja.
Njëkohësisht mundëson krijimin e lidhjeve midis profesionistëve në fushën e softuerit në Shqipëri.
“Është një program i organizuar në SHBA dhe po e marrim këtë përvojë dhe po e sjellim në Shqipëri për herë të parë. Ata që do marrin pjesë do të kenë mundësi të formojnë një rrjet me persona në fushën kompjuterike në vende të ndryshme të botës. Në trajnim do të ketë katër sesione paralele dhe pjesëmarrësit mund të zgjedhin cilën dëshirojnë. Programi do të jetë më shumë praktik se teorik”, tha ai.
Në fund të trajnimit pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata dixhitale. /abcnews.al