Konsumi i alkoolit nga personat nën 18 vjeç deri më tani ka qenë një problem shqetësues për shumë familje, por me ndryshimet në ligjin e ri subjektet që u tregtojnë dhe servirin alkool të miturve do të penalizohen me gjoba dhe deri edhe me mbyllje të aktivitetit.
Ndryshimet në ligjin për pijet alkoolike dhe energjike për të miturit do të penalizojnë të gjithë tregtarët dhe ata që shërbejnë pije alkolike në bare për personat e moshës nën 18 vjeç.
Me anë të një vëzhgimi vihet re që të miturit dalin shpesh gjatë orëve të mësimit për të konsumuar pije alkoolike dhe cigare jashtë ambienteve të shkollave si pranë kioskave ashtu edhe pranë bareve të ndryshme në kryeqytet.
Një pjesë e madhe e adoleshentëve refuzojnë të pranojnë para kameras se konsumojnë alkool gjatë përditshmërisë apo fundjavave të argëtimit, por ka edhe nga ata që e pranojnë këtë pavarësisht pasojave në shëndet.
Pas ndryshimeve në ligjin për mbrojtjen e të miturve nga konsumimi i alkoolit edhe kryeministri Rama paralajmëroi se në fillim të Janarit do të vendosen masa drastike ndaj lokaleve ku serviren pije alkoolike apo energjike për personat nën 18 vjeç, deri edhe në mbylljen e tyre./abcnews.al