Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media ka theksuar se dokumenti i gjykatës italiane që pushon hetimin e prokurorisë së Katanias për Saimir Tahirin, nuk ka asnjë vlerë për hetimin ndaj ish minsitrit që po zhvillon prokuroria shqiptare.
Kërcënim, përveçse të parëndësishëm e konsideron këshilltari ligjor i demokratëve Gazment Bardhi dokumentin që nxorri në deklaratë për media ish-ministrin Saimir Tahiri, të dorëzuar tre ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“Saimir Tahiri, njësoj si Edi Rama paracaktoi vendimin e prokurorisë për të mbyllur dosjen e përfshirjes së tij në trafik droge. Shqiptarët duhet ta dinë se Saimir Tahiri është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian. Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri. Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij”.
Kjo pasi Tahiri, thekson selia blu, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilavje në Shqipëri.
“Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridiksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj. Prokuroria shqiptare ka sot të gjitha provat që vërtetojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen aktive të Saimir Tahirit në mbrojtjen e Habiljave dhe të trafikut të drogës.
Për shkatërrimin e këtyre provave dhe këtij procesi është angazhuar vetë kreu i ekzekutivit Edi Rama prej një viti, deklaron Partia Demokratike, sipas së cilës prokuroria duhet të ndryshojë masën e sigurisë për Tahirin nga detyrim paraqitje në arrest me burg, kjo pasi me deklaratën e tij ish-ministri vërtetoi ehe njëherë se nëse mbetet i lirë, ai përbën rrezik për pavarësinë e hetimeve./abcnews.al