Kolana e krimeve të komunizmit, skanon barbarinë në burgje

schedule15:46 - 20 Qershor, 2021

schedule 15:46 - 20 Qershor, 2021

Nga Leontina Nika

13 botimet e kolanës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit hedhin dritë mbi trajtimet barbare në burgjet dhe kampet e internimit. Për drejtorin e këtij Instituti, Çelo Hoxha një vend të veçantë zë enciklopedia me emrat e të pushkatuarëve e të vrarëve.

“Studime historike përmbledhje me kujtime nga persekutimi. Me këtë vëllim përmbyllet. Por ne do të bëjmë disa vëllime shtesë,” thotë ai.

Përgjegjësia e botimeve Luljeta Lleshanaku,  thotë se vëllimi i VI i “Zërave të kujtesës “  përmban 9  rrëfime rrëqethës.  Për herë të parë del në pah  përdorimi i spitaleve psikiatrike, si mjet presioni.

“Përveç regjimeve të njohura që janë burgu i Spaçit, Qafë-Barit, sjellin edh disa përvoja që kanë të bëjnë me përdorimin e spitaleve psikiatrike si mjet presioni ndaj të burgosurve politikë,” thekson ajo.

Një  rëndësi i dedikohet edhe botimeve historike bazuar në dokumente arkivor.  Historiani Çelo Hoxha teksa flet për librin e Luan Dodës, për 3 vitet e  krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, ndalet edhe te rishkrimi i historisë, i cili i tingëllon koncept i vjetruar. Megjithatë ai thotë se Instituti  ka guxuar të sjell me veprat historike atë që shumë historian, nuk e kanë thënë për komunizmin.

“Kemi pjesën që është refuzuar të trajtohet nga historianët për një kohë të gjatë nga këndvështrimi i persekutimit. Ne e trajtojmë historinë në tërësi”, shprehet Hoxha.

Lleshanaku si veprën më të veçantë veçon përmbledhjen me ese, artikuj e intervista të profesor Sami Repishti, një prej personaliteteve të mbijetuar nga burgjet dhe kampet në  Shqipëri.

“Në bindjen time është një nga botimet më të bukura të institutit për nga mjeshtria dhe thellësia. Është përmbledhje esesh, intervistash, për të shkuarën komuniste,” thotë ajo.

Të tjerë libra interesantë  janë  “Revolta e Zhapokikës”1948  ku pasqyron rezistencën ndaj regjimit, ku u ndëshkuan 100 persona, me burg, internim dhe pushkatim.

“Doracak termash të diktaturës komuniste” e autorit Kastriot  Dervishi.  Apo monografia  dedikuar  martirit të kishës dom Shtjefën Kurtit.  Për herë të parë botohet edhe dosja e tij, prifti I cili u pushkatua se pagëzoi një fëmijë. /abcnews.al