Dhjetëra punonjës në ambasadën amerikane në Afganistan kanë rezultuar me koronavirus, duke bërë të nevojshme mbylljen e pjesës më të madhe të operacioneve në këtë mision diplomatik.
Zyrtarët thonë se një person ka humbur jetën nga COVID-19, ndërsa 114 vetë janë në karantinë dhe disa të tjerë janë nën mbikqyrjen e mjekëve. Zyrtarët thonë se 95% e rasteve janë individë të pavaksinuar aspak ose jo plotësisht kundër koronavirusit.
Zyrtarët thonë se si rezultat i përhapjes së infektimeve, ndalohen operacione ose aktivitete në grup deri kur të ndërpritet zinxhiri i përcjelljes së virusit. Ata shtojnë se objektet spitalore ushtarake janë të mbushura dhe se janë ngritur pavione provizore për të ndihmuar personat në nevojë me respiratorë.
Vatra e infeksionit shfaqet ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë në vazhdën e një operacioni të ndërlikuar dhe intensiv për të tërhequr forcat e tyre ushtarake nga Afganistani deri më 11 shtator pas një angazhimi 20 vjeçar.
Rastet e infektimeve me koronavirus janë shtuar ndjeshëm në Afganistan javët e fundit, duke vënë nën presion të rëndë sistemin e brishtë shëndetësor të vendit./VOA