Data e zgjedhjeve lokale, Meta konsultime me palët politike

schedule11:26 - 31 Tetor, 2018

schedule 11:26 - 31 Tetor, 2018

Presidenti Ilir Meta nisi sot konsultime me palët politike për caktimin e datës se zgjedhjeve vendore që mbahen vitin e ardhshëm. Drejtues  të tre partive kryesore Taulant Balla, Edmond Spaho dhe Luan Rama, kanë zhvilluar takime të veçanta me kreun e shtetit në presidencë.

Është koha për të vendosur datën e zgjedhjeve të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja që kryetari i grupit parlamentar socialist po i drejtohet institucionit të presidencës. Është i pari në listën e të thirrurve për konsultime nga Presidenti i Republikës. 30 minuta më pas, Taulant Balla informon se një prej dy të dielave të fundit të muajit Qershor 2019 parashikon Kodi Zgjedhor për zgjedhjet lokale.

“Janë cituar dy të dielat e fundit të Qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka pasur në fakt nga operatorët turistikë një kërkesë për një datë më herët se fundi i Qershorit, por sigurisht që kjo është një çështje që i takon edhe dakordësisë mes të gjithëve. Megjithatë presidenti do të bëjë këtë proces konsultash. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe Kodi Zgjedhor”, tha Balla.

Pas takimit me Presidentin e Republikës të kryetarit të grupit të deutetëve socialistë ishte e radha e Edmond Spahos që ndryshe nga kolegu i tij hyri me makinë. E po kështu doli duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat mbi propozimin në emër të grupit parlamentar demokrat.

Ndryshe bëri partia tjetër në opozitë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, qëndroi më gjatë pasi siç tha në dalje kishin shqetësime jo me vendosjen e datës, por me standardet e zhvillimit të zgjedhjeve.

“Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale dhe lobimi kriminal natyrisht nuk mund të bëjë tjetër veçse t’i kthejë reston grupimeve kriminale. Ky është shqetësimi i madh dhe për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimet pastaj çdo gjë tjetër është formale”, tha Rama.

Pas konsultimeve me partitë politike, Presidentit të Republikës i duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj pasi i mbaron mandati të zgjedhurve të njësive të qeverisjes vendore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!