Italia arriti fitoren e dytë radhazi në grupin A të Euro 2020. Kombëtarja e drejtuar nga Roberto Mancini mposhti 3-0 Turqinë në “Olimpico”, duke u bërë skuadra e parë që siguron kualifikimin në raundin tjetër.
Një Itali e bukur, bindëse, që lufton, sulmon, dominon, shënon gola dhe zbavit tifozët. Një skuadër e tillë nuk ishte parë kurrë më parë, teksa Roberto Mancini ka meritën kryesore për ndërrimin e mentalitetit.
Disfata e fundit daton më 18 shtator të vitit 2018, atëherë kur të kaltrit humbnin 1-0 ndaj Portugalisë në një duel për Nations League. Që prej atij momenti, Italia ka regjistruar 29 rezultate pozitive radhazi.
Roberto Mancini është një rezultat larg barazimit të rekordit të legjendarit Pozzo, i cili regjistron 30 ndeshje pa humbje në stolin e Italisë në vitin e largët 1939, rekord që pritet të barazohet të dielën (Italia përballet me Uellsin).
Por jo vetëm kaq, kombëtarja azzurre nuk pëson gol prej 10 ndeshjesh radhazi. Holanda është skuadra e fundit që ka ndëshkuar Gigio Donnarumma në barazimin 1-1 të 14 tetorit të vitit të kaluar. /abcnews.al