Futbollistët e Skënderbeut e quajnë ekipin e tyre si më të fortin e Superligës. Gjithsesi, trajneri Shehi bën thirrje për kujdes, ndërsa presidenti Takaj flet për strategjinë e klubit të tij.
Tani po që mund të flasim ndryshe. Kështu duket se mendojnë tek Skënderbeu dhe i tillë ishte vlerësimi i rëndësisë së fitores ndaj Partizanit në kryeqytet. Sukses dhe rokadë për vendin e parë, me autoritetin e rifituar mesa duket plotësisht. Njeriu që vulosi shifrat, Devi Bregu, nuk ka dyshim për këtë.
“Që jemi shumë më lart se ekipet tjera kjo duket në fushë, por të ulim kokën dhe të punojmë me seriozitet. Të rëndësishme për ne janë 3 pikët”, tha Bregu.
Shënuesi tjetër, Gjergji Muzaka, e quan normalitet gjithçka që ndodhi.
“Për lojtarët që kanë vite që luajnë aty kjo është diçka normale. Jo normale është mos ta shikosh në vendin e parë Skënderbeun”, tha Muzaka.
Muzaka flet për lojtarët fitues në tetë vjet dhe i tillë është Marko Radash.
“Ishte fitore e merituar. Ishim një nga favoritët, tani jemi vetëm favoritë”, tha Radash.
Trajneri Orges Shehi ka një paralajmërim, sidoqoftë, për lojtarët e tij.
“Futbolli është shumë i poshtër. Në momentin që ti mendon se ke arritur diçka dhe sa fillon ngre këmbët të ulen direkt. Ne duhet të ngulim këmbët fort dhe tre pikët janë të rëndësihme për ne, si ndaj Partizanit apo kundërshtarit të radhës”, u shpreh Shehi.
Arkitekti numër 1 i suksesit është presidenti Takaj, i cili flet për strategjinë e Skënderbeut për të përballuar edhe ditët e këqija.
“Ne po luajmë me çuna të rinj futboll. Nuk është vetëm pjesa e titullit kampion, por edhe lojtarëve trë rinj, kemi perspektivë në të ardhmen”, tha Takaj./abcnews.al